Zhvillime të reja raportohen lidhur me aferën e inceneratorëve, ku në qendër të vëmendjes është kryeministri Edi Rama. Sipas gazetës “SOT”, Prokuroria e Posaçme (SPAK) po përgatitet ta thërrasë kreun e qeverisë për të dhënë shpjegime lidhur me këtë çështje.
Sipas raportimit, një prokuror i SPAK ka udhëtuar drejt Vjenës, ku dyshohet se ka marrë në pyetje biznesmenin Mirel Mërtiri, një prej personave të akuzuar në dosjen e inceneratorëve.
Gazeta pretendon se Mërtiri ka dhënë informacione mbi mënyrën e administrimit të fondeve publike, duke përmendur emra, data dhe transaksione bankare që mund t’i ndihmojnë hetuesit të gjurmojnë destinacionin e parave.
Në të njëjtin raportim thuhet se SPAK ka përgatitur edhe një fletëthirrje për Edi Ramën. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme për marrjen në pyetje të Mërtirit në Austri apo për thirrjen e mundshme të kryeministrit.
Një tjetër pretendim, i publikuar më herët nga portali “Publik.al”, lidhet me një shumë prej 500 mijë eurosh, që sipas burimeve të cituara nga portali, dyshohet se i është kërkuar Mërtirit t’ia dorëzojë Endri Fugës në emër të kryeministrit, për qëllime elektorale.
Sipas portalit, biznesmeni ka folur për këtë çështje me një media austriake dhe pritet të publikojë dokumente e komunikime që lidhen me pagesat e pretenduara. Deri më tani, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga SPAK dhe nuk janë bërë publike prova që të vërtetojnë transferimin e përmendur.
Mirel Mërtiri ndodhet prej kohësh jashtë Shqipërisë dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai është dënuar në mungesë për çështjen e inceneratorit të Elbasanit dhe është i pandehur edhe në dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Në korrik, SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes së inceneratorit të Tiranës. Në këtë çështje, Mërtiri dhe Klodian Zoto akuzohen për përfshirje në një skemë të dyshuar mashtrimi dhe pastrimi parash.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, përmes kompanive koncesionare dhe faturimeve të dyshuara si fiktive janë kryer transaksione me vlera të konsiderueshme, për të cilat dyshohet se janë përdorur për nxjerrjen dhe qarkullimin e fondeve.
Ndërkohë, më 27 tetor, Gjykata e Posaçme vendosi njoftimin publik të Mirel Mërtirit, Klodian Zotos dhe disa të pandehurve të tjerë, pasi nuk kishte arritur t’i kontaktonte për zhvillimin e procesit gjyqësor. Seanca paraprake është caktuar për më 6 nëntor.
Afera e inceneratorëve ka qenë prej vitesh objekt debatesh dhe akuzash politike. Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka drejtuar akuza ndaj Edi Ramës, duke e cilësuar përgjegjës për vendimmarrjen që çoi në miratimin e kontratave koncesionare.
Për momentin, mbetet e pakonfirmuar nëse Mirel Mërtiri ka dhënë një dëshmi të re për SPAK dhe nëse kryeministri Edi Rama do të thirret për t’u pyetur. Pretendimet për pagesën prej 500 mijë eurosh mbeten gjithashtu të pakonfirmuara nga institucionet përkatëse.