Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku trupi i pajetë i një 31-vjeçari shqiptar është gjetur brenda një pusi rreth 10 metra të thellë, në zonën e Longianos, në provincën e Forli-Cesenës.
Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Denaldo Maxhallaku. Dyshimet paraprake janë se i riu mund të jetë vrarë me armë zjarri, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Trupi i të riut u gjet gjatë kontrolleve të zhvilluara nga karabinierët, të cilët kishin nisur kërkimet pasi ai kishte humbur kontaktet me familjarët. Në operacion u angazhuan edhe njësi me qen kërkimi.
Kontakti i fundit i 31-vjeçarit me familjarët ka qenë më 7 tetor 2026, rreth orës 20:30, në zonën e Savignano sul Rubicone.
Një ditë më vonë, më 8 tetor automjeti i tij, një Fiat Punto e zezë, u gjet plotësisht i djegur në zonën e Roncofreddos, pranë lumit Rubicone, disa kilometra larg vendit ku u zbulua trupi. Pas gjetjes së automjetit, autoritetet italiane intensifikuan kërkimet në zonën mes Roncofreddos dhe Soglianos, përgjatë rrugës provinciale 85, e njohur si Fondovalle Rubicone.
Ndërsa pranë vendit ku u gjet trupi, autoritetet kanë zbuluar edhe disa gëzhoja pistolete, të cilat mund të përbëjnë prova të rëndësishme për hetimin. Prokuroria e Forlit, nën drejtimin e prokurorit Enrico Cieri, ka nisur hetimet për vrasje, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave përgjegjës.
