Një bankë e nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, është grabitur pak minuta më parë. Forca të shumta policie ndodhen në zonë dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personit që ka grabitur arkën me armë.
Newsbomb.al ka siguruar këto pamje nga hyrja e filialit të bankës së nivelit të dytë, e cila është grabitur me armë zjarri. Autori ka shkuar me monopatinë dhe menjëherë pas grabitjes, është larguar në drejtim të paditur.
Në momentin e grabitjes, në bankë kanë qenë disa qytetarë, të cilët janë alarmuar nga e gjithë skena, ndërsa institucioni financiar ka njoftuar menjëherë Policinë.
Shërbimet e Komisariatit Nr.2 dhe efektivë nga shërbime të tjera të DVP Tiranë, kanë shkuar me urgjencë në vendngjarje dhe pas identikitit të marrë nga punonjësit e bankës së nivelit të dytë te Kompleksi Kika 2 në zonën e Komunës së Parisit, janë vënë në ndjekje.
Hetuesit po marrin në pyetje stafin e sigurisë së bankës dhe punonjësit, ndërsa dëshmi po merren dhe nga qytetarët që po prisnin në radhë për të marrë shërbim.

“Rreth orës 10:45, në zonën e Komunës së Parisit, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke të nivelit të dytë dhe, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë, dyshohet se ka marrë një shumë parash.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rastit”, njofton Policia.