Vrasja e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Pejë të Kosovës, është një nga ngjarjet që ka tronditur mbarë vendin, pasi dyshohet se autor i vrasjes është kunati i saj i cili prej gati një dite është në kërkim nga policia.
Teksa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vijim, Kallxo.com ka zbuluar se pak orë para se Arlinda të gjendej e pajetë në banesën e saj, ajo kishte kërkuar urdhër-mbrojtje në Polici, ku para efektivëve ishte shprehur: A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni skizofrenin?
Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, mësohet se Zekaj në Polici kishte deklaruar se si ishte kërcënuar me jetë nga bashkëshorti i saj Jeton Syla. Ndërsa përveç dhunës së ushtruar ndaj saj, ky i fundit kishte tentuar që ta largonte nga shtëpia duke ia hedhur rrobat jashtë në oborr.
“Unë, me të dhënat e mia më lart, pasi m’u kanë lexuar të drejtat e mia të përcaktuara me ligj, dua të deklaroj: Se më datë 25/10/2026, diku rreth orës 17:58, pasi unë kam dalë nga banjo dhe e kam pritur lavatriçen që t’i përfundojë rrobat e anëtarëve të Jetonit dhe pasi përfundoi lavatriçja, unë i kam futur rrobat e mia që të pastrohen. E kam lëshuar lavatriçen dhe shkova në kuzhinë për të ngrënë bukë. Po, dua ta pyes Policinë: “A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni skizofrenin?”.” kishte deklaruar në Polici viktima në ditën që u vra.
E pyetur se nga zyrtarët policorë se nëse dëshiron të shkon në strehimore pas dhënies së deklaratës, viktima kishte thënë së nuk dëshiron të largohet nga shtëpia e saj, aty ku fatkeqësisht pas pak orësh u gjet pa shenja jete.
“Jo, unë nuk pranoj të shkoj në strehimore. Unë dua të shkoj në shtëpinë time.”- kishte thënë e ndjera.
Por çfarë e detyronte Arlindën që të këmbëngulte të qëndronte në shtëpinë ku ajo dhunohej derisa u vra?
“Nuk e ndiej veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime.”, ka thënë dje e ndjera para efektivëve të Kosovës.
Dëshira e saj për t’u bashkuar me djalin, ishte më e madhe se dhimbja që ndjente pas dhunës së ushtruar ndaj saj. Në lidhje me këtë, ka reaguar dhe avokatja e saj e cila po e ndihmonte Arlindën që të bashkohej me të birin.
“E kam marrë në korrik Arlindën, edhe pse e kam njohur para, por si kliente e kam marr në korrik. Ajo ka paraqitur një karakter tepër të fortë, unë e konsideroj veten me karakter të fortë, por ajo, nuk kam takuar për 27 vjet përvojë pune, një grua aq këmbëngulëse, aq të fortë si ajo.
Pas disa muajve na kaloi ajo vija kliente-avokate, kaluam në vija pak më të afërta. Të vetmen kërkesë që ka pasur ajo, [ka qenë] Adelina unë e dua djalin.Unë e kam peng, nëse ka arrit ta përqafojë. Ka tri ditë që ka hy në shtëpi, kam qenë në stres. Më ka thënë ditën e parë që ka shku, le të më vrajën, mjafton që e kam ndje frymën e tij, kam arrit me përqaf”, zbuloi avokatja Adelina Hoxha teksa tregonte fjalët e fundit mes saj dhe viktimës.
Që prej ditës së djeshme Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim Albert Sylajn, si të dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt. Ndërsa është shoqëruar për ngjarjen e rëndë bashkëshorti i Arlindës.
Sipas Policisë, bashkëshorti i saj ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa policia deklaroi se me vullnetin e saj, viktima ishte dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë.
TRAGJEDI në Pejë, gruaja gjendet e vdekur vetëm dy orë pasi raportoi në polici dhunë në familje
Brenda pak orëve, Policia njoftoi për vdekjen e tronditëse të Arlindës.
“Sot, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë është njoftuar për një rast të dhunës në familje, i cili ka ndodhur në fshatin Vitomiricë, në Pejë. Viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar” – thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
“Po ashtu, është arrestuar dhe intervistuar edhe personi i dyshuar (bashkëshorti i viktimës), i cili është ndalur në mbajtje për 48. Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë. Rreth orës 21:10, jemi njoftuar se e njëjta është gjetur pa shenja jete”, vijon më tej njoftimi i Policisë.
Mirëpo pretendimet e Policisë janë kundërshtuar avokatja e Arlinda Zekajt, Adelina Hoxha, e cila ka sqaruar se kthimi i viktimës në shtëpinë e saj ishte pa vullnetin e së ndjerës.
“Nuk e di a duhet policia me pas kujdes kur jep prononcime ‘a me i arsyetu patjetër zyrtarët e vet!!!! Nuk ka qenë vullneti i viktimës!!! Kryeprokurorisë së Shtetit do t’i dorëzohen të gjitha. Së paku kontrolloje deklaratën e viktimës në polici gjysmë ore para se mu vra… e shumë tjera”, deklaroi avokatja Adelina Hoxha.
Vrasja e Arlindës ka ngjallur një zemëratë të madhe për shumë qyetarë të Kosovës, të cilët në shenjë revolte kanë protestuar ditën e sotme para institucioneve të cilat i shpallin fjatore për vrasjen e Arlindës.
“Shteti e vrau!” shkruhej në pankartat e bëra nga qytetarët para Kryeministrisë, ndërsa kanë lyer me bojë të kuqe dhe shkallët e institucionet duke shprehur revoltën e tyre për vrasjen e 49-vjeçares, e cila u paralajmërua nga vetë ajo.