Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin në Tajlandë, pasi rrufeja goditi fushën gjatë një ndeshjeje, duke shkaktuar vdekjen e një lojtari dhe plagosjen e 12 të tjerëve.
Incidenti tragjik ndodhi të martën, më 4 gusht, në stadiumin Santiphap, në distriktin Su-ngai Kolok të provincës Naratiuat, gjatë ndeshjes së Jala FC në kuadër të kupës.
Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, ndeshja po zhvillohej nën reshje të dendura shiu, kur papritur një rrufe goditi terrenin e lojës. Disa futbollistë u rrëzuan menjëherë në fushë, ndërsa ekipet mjekësore ndërhynë për t’u dhënë ndihmën e parë të prekurve.
Më shumë se nëntë persona mbetën të plagosur nga shkarkesa elektrike, ndërsa pasojat më të rënda i pësoi futbollisti i Jala FC, Safuan Auae, i cili pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk arriti të mbijetojë. 24-vjeçari ishte një nga lojtarët më premtues të skuadrës.
Klubi Jala FC reagoi përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen e futbollistit të ndjerë.
“Bordi drejtues, stafi teknik, lojtarët dhe të gjithë anëtarët e Jala FC shprehin ngushëllimet më të thella familjes së Safuan Auae. Ai do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes sonë”, thuhej në deklaratën e klubit.

Përfaqësues të Jala FC, të udhëhequr nga drejtori i klubit, vizituan familjen e lojtarit për të shprehur mbështetjen dhe ngushëllimet për humbjen e parakohshme.
Edhe Federata e Futbollit të Tajlandës (FAT) reagoi për tragjedinë, duke shprehur solidaritet me familjen e Safuan Auae, miqtë e tij dhe klubin e Jala FC në këtë moment të vështirë.
Safuan Auae ishte transferuar teJ FC më 29 korrik dhe shihej si një futbollist me të ardhme. Më herët ai kishte luajtur për Patani FC, ku kishte realizuar 7 gola në 18 ndeshje dhe kishte dhënë kontributin e tij në ngjitjen e skuadrës në Ligën 2 të Tajlandës për sezonin 2025-2026.
Ngjarjet e tilla nuk janë të pazakonta në Tajlandë, ku goditjet nga rrufeja kanë shkaktuar viktima të shumta ndër vite. Sipas Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve, gjatë periudhës 2020-2024, të paktën 283 persona janë goditur nga rrufeja në vend, me shumë prej tyre që kanë humbur jetën.
Vetëm në maj të këtij viti, një student inxhinierie dhe tezja e tij humbën jetën pasi rrufeja goditi kasollen ku ishin strehuar në provincën Lampang. Po në të njëjtin muaj, një grua shtatzënë 30-vjeçare humbi jetën në provincën Utai Tani, pasi ajo dhe bashkëshorti i saj u strehuan poshtë një peme gjatë kthimit nga peshkimi dhe u goditën nga rrufeja.
Tragjedia në Tajlandë ndodhi në të njëjtën ditë kur goditjet e rrufesë në shtetin Xharkhand, në lindje të Indisë, shkaktuan vdekjen e të paktën 14 personave, shumica prej tyre punëtorë bujqësie që ndodheshin në fusha të hapura.
