Prej disa ditësh, në media dhe në rrjetet sociale po qarkullojnë lajme se Grida Duma mund të mos jetë më në drejtimin e emisionit politik “Top Story” në Top Channel, format të cilin e drejton prej katër vitesh, pas largimit nga politika dhe mbylljes së angazhimit të saj si deputete.
Deri më tani, as Top Channel dhe as vetë Grida Duma nuk kishin reaguar publikisht për të konfirmuar apo përgënjeshtruar zërat që lidhen me të ardhmen e saj në ekran. Megjithatë, një detaj që ka tërhequr vëmendjen është interpretuar nga shumë si një sinjal i tërthortë për këto spekulime.
Gjatë festës së ditëlindjes që Grida Duma kishte organizuar për birin e saj, Darienin, mes të ftuarve ishte edhe Lori Hoxha. Trashëgimtarja e Top Channel, e cila prej vitesh është parë shpesh në krah të Dumës në evente dhe aktivitete të rëndësishme, mbajti një fjalim të shkurtër ku dhe nuk i kurseu as disa fjalë zemre për të.
Teksa vlerësoi miqësinë dhe rrethin e ngushtë të Gridës, Lori la të kuptohej se ndryshimet e përfolura mund të jenë të vërteta, duke i dhënë kështu edhe më shumë jehonë zërave që kanë qarkulluar së fundmi për largimin e Dumës nga drejtimi i “Top Story”.
“Jam shumë me fat që jam mes jush sepse e shoh që Grida ka miq të mrekullueshëm dhe edhe nëse nuk do të më ketë mua për fatkeqësitë e fatit tim, jo për të sajin, jam e bindur që do të ketë afër vetes njerëz që do ta duan dhe do ta gëzojnë më shumë se sa unë”, u shpreh Lori Hoxha gjatë fjalës së saj, ndërkohë që kështu iu përgjigj njëherë e mirë dhe “gojëve të liga” se mes saj dhe Dumës ka pasur një “krisje”!
