Detaje të reja janë mësuar lidhur me grabitjen e një argjendarie, e regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në zonën e Paskuqanit, në Kamëz.
Sipas informacioneve të siguruara, dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në ambientet e biznesit rreth orës 14:50, ku nën kërcënimin e armës kanë detyruar punonjëset të dorëzojnë bizhuteritë që ndodheshin në argjendari.
Burime bëjnë me dije se autorët dyshohet se kanë qenë të pajisur me armë zjarri të tipit kallashnikov. Në momentin e grabitjes, brenda argjendarisë ndodheshin dy punonjëse, të cilat janë përballur me autorët, ndërsa fatmirësisht asnjëra prej tyre nuk është lënduar.
Pasi kanë marrë një sasi bizhuterish, grabitësit janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja duke përdorur një motomjet pa targa dhe kanë humbur gjurmët përpara mbërritjes së forcave të policisë.
Menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e Kamzës, si edhe në akset rrugore përreth, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Deri në këtë fazë të hetimeve nuk është bërë ende e ditur vlera e bizhuterive të grabitura. Grupi hetimor vijon punën për administrimin e provave, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Më herët, Policia njoftoi: Më datë 05.08.2026, rreth orës 14:50, në Paskuqan, 2 shtetas ende të paidentifikuar, kanë hyrë në ambientet e argjendarisë në pronësi të shtetasit L. L. dhe duke kanosur punonjëset me send në dukje armë zjarri, kanë marrë një sasi bizhuterish.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë kontrolle për kapjen e autorëve.
Grupi hetimor po punon për fiksimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre, si dhe dokumentimin e plotë të rastit.
