Tragjedia e ndodhur në fshatin Domen të Shkodrës, ku humbën jetën 24-vjeçarja Bleona Çobaj/Çelaj dhe dy fëmijët e saj të vegjël, Amar dhe Anuar Çelaj, ka rikthyer vëmendjen te rreziku që paraqesin bombolat artizanale të gazit. Sipas dyshimeve paraprake, shpërthimi i një bombole pranë një banese të vjetër të braktisur prej rreth 20 vitesh u mori jetën nënës dhe dy fëmijëve, të moshës 18 muajsh dhe 3 vjeç.
Shefi i zjarrfikësve të Njësisë Administrative nr. 6 në Tiranë, Luan Shehu, shpjegoi se bombola e përfshirë në ngjarje, me kapacitet rreth 5 litra dhe zakonisht me ngjyrë portokalli, konsiderohet prej vitesh e rrezikshme për përdorim në ambiente shtëpiake.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të heqin dorë përfundimisht nga përdorimi i këtyre bombolave.
“Nuk na ka ndodhur neve te këto që janë 15 kilëshe e lart që përdoren gjerësisht në shtëpia ose nëpër bare e restorante. Problem gjithmonë kanë ngelur këto të cilat kanë ardhur duke u rrudhur. Ka qenë një sasi e madhe për të cilën ne kemi insistuar vazhdimisht, qoftë te familjarët, qoftë në trajnimet që bëjmë në shkollat e ndryshme. Ne kemi bërë të mundur që këto të largohen, por shohim që nga dita në ditë janë disa mbetje që njerëzit i mbajnë nëpër shtëpia. Kjo është shumë e rrezikshme”, tha Shehu i ftuar në emisionin “Repolitix”.
Sipas tij, forca e shpërthimit në Shkodër ka qenë e tillë sa u ka shkaktuar viktimave vdekje të menjëhershme.
“Po flasim për valë goditëse. Vala goditëse nënkupton shtytjen e një presioni të madh dhe siç e shikon dhe nga ngjarja që ka ndodhur atje, nuk shikon as dritare as dyer. Ajo (vala goditëse) ku të gjejë pikat më të dobëta, i shkatërron. Njëkohësisht kjo shoqërohet me flakë. Duke u shoqëruar me flakë, prodhimet që kemi sot kryesisht në arredimin e shtëpisë, i kemi hidrokarburesh. Pra kanë një pikë flakërimi shumë të ulët dhe kjo e bën që flaka të marrë njëkohësisht në të gjithë shtëpinë. Unë mendoj që shpërthimi u ka shkaktuar atyre vdekjen e menjëhershme”, tha Shehu.
