Një auditim i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka zbuluar një situatë alarmante në Liqenin Artificial të Tiranës, ku ujërat ndoten në mënyrë sistematike nga shkarkime të paautorizuara. Dokumenti thekson mungesën e theksuar të koordinimit mes institucioneve dhe dështimin për të marrë masa konkrete për të ndaluar ndotjen.
Dështimi i institucioneve
Sipas auditimit, edhe pse strukturat shtetërore e kishin evidentuar ndotjen që në tetor të vitit 2024, nuk janë marrë masa efektive. Përveç shkëmbimeve të korrespondencave, nuk është bërë asnjë përpjekje për të identifikuar shkaktarët dhe për të ndërprerë shkarkimet. KLSH thekson se bashkëpunimi ndërinstitucional ka dështuar, një fakt i konfirmuar edhe nga vetë Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit (APR).
Auditimi zbulon gjithashtu se territori i Parkut të Madh të Liqenit nuk mbulohet nga rrjeti i kanalizimit, duke detyruar subjektet private të operojnë me zgjidhje individuale si gropat septike, të cilat nuk monitorohen.
- Pabarazi në të dhëna: KLSH vë në dukje se ka mungesë të një regjistri të saktë të bizneseve që operojnë në zonë. Sipas UKT-së, janë 10 subjekte, APR raporton 14, ndërsa verifikimet në terren tregojnë se numri është edhe më i madh. Këto subjekte operojnë pa u monitoruar nga institucionet shtetërore.
Rekomandimet e KLSH
Për të zgjidhur këtë problem, audituesit kanë bërë disa rekomandime të qarta:
- Monitorim i mjedisit: Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të monitorojë cilësinë e ujit në Liqenin Artificial dhe t’i dërgojë rezultatet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit e Bashkisë Tiranë.
- Ngritja e një grupi ndërinstitucional: Bashkia e Tiranës dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të krijojnë një grup pune për të identifikuar pikat e shkarkimeve të paligjshme, për të ndjekur kanalet e ujërave të shiut dhe për të ndërprerë lidhjet e paligjshme, duke marrë masa administrative ndaj shkaktarëve të ndotjes.
