Agjencia Federale e Zbatimit të Ligjit për Imigracionin (ICE) në Shtetet e Bashkuara mund të deportojë emigrantë të paligjshëm në vende të treta, dhe jo domosdoshmërisht në vendet e tyre të origjinës, vetëm gjashtë orë pasi ata të jenë njoftuar. Ky detaj del nga një dokument i brendshëm i siguruar nga Washington Post, që tregon se administrata Trump po kërkon të përshpejtojë largimin e emigrantëve.
Dokumenti i brendshëm, i datës 9 korrik dhe i nënshkruar nga Drejtori në detyrë i ICE-së, Todd Lyons, tregon se agjencia në përgjithësi do të presë të paktën 24 orë para se të deportojë dikë në një vend “të tretë”. Megjithatë, nëse vlerësohet se ekzistojnë “rrethana urgjente”, deportimi mund të kryhet brenda gjashtë orësh, me kusht që personi të ketë pasur mundësinë të flasë me një avokat.
Sipas memorandumit, emigrantët mund të deportohen në vende ku autoritetet kanë premtuar të mos i torturojnë ose persekutojnë ata, “pa nevojën për procedura të mëtejshme”. Kjo politikë e re konfirmon dëshirën e administratës Trump për të përshpejtuar deportimet e emigrantëve në vende anembanë botës.
Vendimi i Gjykatës Supreme muajin e kaluar rrëzoi një urdhër gjykate që ndalonte deportime të tilla pa garanci për sigurinë e emigrantëve në vendet e destinacionit. Pas këtij vendimi, administrata Trump deportoi tetë emigrantë në Sudanin e Jugut. Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë u bëri presion pesë vendeve afrikane për të pranuar emigrantë që përballen me deportimin.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të migrantëve kanë kritikuar ashpër këtë politikë, duke e konsideruar atë çnjerëzore dhe të rrezikshme, pasi emigrantët mund të përballen me dhunë, të mos kenë lidhje me vendin e ri ose të mos flasin gjuhën e tij.
Sipas avokates Trina Realmuto, e cila përfaqëson migrantët që ngritën një padi kundër deportimeve të menjëhershme, kjo politikë e re nuk garanton një proces të rregullt ligjor dhe të drejtat e tyre. Dokumenti i ICE u bë publik si pjesë e dosjes së çështjes në rastin e deportimit të Kilmar Ambrogo Garcia në El Salvador.