Del letra e Arlindes para se ti merrej jeta

“Për ju është rutinë, për mua është jetë”. Kështu i drejtohej Arlinda Zekaj gjyqtarit Migjen Kastrati, duke i kërkuar të përshpejtonte shqyrtimin e çështjes së saj dhe të merrte vendim për mbrojtjen dhe kujdestarinë e djalit.

Letra, të cilën 49-vjeçarja e kishte shkruar më 7 shtator 2026, është publikuar këtë të diel nga Natyra Kuçi, një javë pasi Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës.

Në dokument, ajo shprehte shqetësimin për sigurinë e saj dhe të fëmijës, vendndodhjen e të cilit deklaronte se nuk e dinte.

“Shkruaj si një grua që tani po ndihem e rrezikuar për jetën e vet, ashtu dhe për jetën e fëmiut që nuk e di ku e kam”, thuhej në letrën e saj.

Zekaj i kërkonte gjyqtarit të gjente kohë për të vendosur mbi urdhrin e mbrojtjes dhe kthimin e fëmijës në kujdestarinë e saj.

“Lutem shumë gjejë pak minuta nga koha juaj e ngarkuar, për të caktuar urdhrin mbrojtës dhe caktimin e fëmijës në ‘kujdestarinë’ e në shtëpinë ku kam dhënë gjithçka që kam pas”, shkruante ajo.

Related article  Habit shefi i Qeverise

Në përfundim të apelit, 49-vjeçarja theksonte rëndësinë që kishte për të ndërhyrja e gjykatës, duke iu drejtuar gjyqtarit me fjalët: “Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”.

“Ndihem e rrezikuar"/ I kërkonte gjyqtarit mbrojtje urgjente

Urdhrat e mbrojtjes dhe vonesat e konstatuara nga inspektorati

Publikimi i letrës vjen ndërsa institucionet e Kosovës po shqyrtojnë mënyrën se si autoritetet trajtuan kërkesat e vazhdueshme të Zekajt për mbrojtje nga dhuna në familje.

Inspektorati Policor i Kosovës ka konstatuar se policia nuk e kishte ekzekutuar urdhrin e mbrojtjes të datës 7 shtator. Ndërkohë, urdhrin e dytë, të lëshuar më 16 tetor, autoritetet e zbatuan vetëm më 22 tetor, me gjashtë ditë vonesë.

Pas vrasjes, autoritetet kanë pezulluar nga detyra 13 zyrtarë, përfshirë kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferi, si dhe 11 punonjës të policisë.

Related article  Ministri bën gati ndryshimet/ Petrit Malaj pritet të marrë “postin” e rëndësishëm

Kuvendi i Kosovës ka ngritur gjithashtu një komision hetimor për të shqyrtuar lëshimet e dyshuara institucionale dhe për të përcaktuar përgjegjësitë në trajtimin e rastit.

Vrasja ndodhi pas shoqërimit të saj nga policia në banesë

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi efektivët e policisë e kishin shoqëruar në banesën ku ajo kërkonte të rikthehej në bazë të një vendimi gjyqësor.

Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, ndërsa ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, ishte ndaluar më herët për kanosje.

Rrethanat e ngjarjes dhe mënyra se si institucionet zbatuan vendimet për mbrojtjen e viktimës janë tashmë objekt i shqyrtimit institucional.

Protesta e pestë në Prishtinë, kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi institucionale

Related article  Ja çfarë ndòdhi me Moníka Lubonjën tani

Ndërkohë, këtë të diel, në Prishtinë është paralajmëruar protesta e pestë radhazi për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Tubimi do të nisë në orën 17:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku pjesëmarrësit do të kërkojnë drejtësi për viktimën dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.

Protestën e organizon Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili ka akuzuar publikisht institucionet shtetërore se nuk arritën të garantonin mbrojtjen e Zekajt, pavarësisht kërkesave të saj.

Organizatorët kërkojnë që autoritetet të përcaktojnë përgjegjësitë për veprimet dhe mosveprimet në këtë rast, si dhe të marrin masa konkrete për të parandaluar dhunën ndaj grave.

Letra e publikuar një javë pas vrasjes i shtohet dokumenteve që po shqyrtohen në debatin publik mbi trajtimin institucional të rastit, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë përgjegjësitë për moszbatimin në kohë të urdhrave të mbrojtjes.