Së fundmi, Edi Rama ka emëruar Vlera Gjakovën në detyrën e këshilltares për mediat, duke i besuar kësaj të fundit këshillimin për çështjet e medias.
Gjakova me origjinë nga Maqedonia e Veriut, është një emër mjaft i njohur kryesisht në politikë. Tetë vite më parë, ajo iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kandidoi për deputete nën siglën e kësaj force politike.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se Vlera Gjakova ka marrë zyrtarisht këtë detyrë dy javë më parë.
Ndryshimi i këshilltarit të kryeministrit Rama për mediat, vjen në kulmin e ditëve kur Tirana është mbërthyer nga protestat studentore, që shpesh herë kanë qenë të dhunshme, pasi protestuesit nuk kanë kursyer hapësirat publike, institucionet shtetërore si dhe shumë biznese private.
Kush është Vlera Gjakova?
Gjakova, e cila vjen nga Shkupi, njihet si stratege në fushën e komunikimit, eksperte për energjinë e rinovueshme dhe publiciste me një eksperiencë 18-vjeçare për strategjitë e medias dhe marrëdhëniet me publikun. Studimet e Bachelor-it, Gjakova i ka kryer për Komunikim dhe Gazetari, Instituti Maqedonas për Media (MIM) përfshi studimet për Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.
Sakaq mësohet se Gjakova ka një master për Filozofi dhe Psikanalizë, Qendra Kërkimore për Filozofinë Greke. Një tjetër master për Metafizikë, Epistemologji, Filozofi Morale dhe Politike, Universiteti Aristotel i Selanikut (Greqi). Më parë shërbyer më parë si zëdhënëse dhe përfaqësuese e marrëdhënieve me publikun (PR) për EVN Maqedoni.
Përvoja e saj përfshin punën me Komunën e Çairit, OJQ-në VEPRO! (ACT), Coca-Cola Ltd Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN). Është aktive si aktiviste për të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, feministe dhe publiciste. Po ashtu, Gjakova rezulton të jetë angazhuar në media dhe ka shkruar për platforma si Observatori Evropian i Gazetarisë.