Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Farret, në njësinë administrative Stravaj, në Librazhd, ku një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë, rreth 150 metra larg aksit rrugor.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti drejtohej nga 22-vjeçari Renis Kalnxhi, i cili ka mbetur i plagosur dhe është transportuar drejt Spitalit të Librazhdit për të marrë ndihmë mjekësore. Mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gjatë këqyrjes së vendngjarjes, pranë automjetit të dëmtuar është gjetur një armë zjarri, tip pistoletë. Po ashtu në vendngjarje nuk janë konstatuar persona të tjerë që mund të kenë qenë në automjet në momentin e aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se 22-vjeçari mund të jetë përfshirë në një konflikt dhe të jetë dëmtuar përpara se automjeti të dilte nga rruga. Megjithatë, ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes dhe nëse konflikti i dyshuar ka lidhje me armën e gjetur pranë makinës.
Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.