Në vend që të japë zgjidhje konkrete për shqetësimet e qytetarëve dhe kërkesat e ngritura në protestat kundër qeverisë, kryeministri Edi Rama vijon të prezantojë projekte të reja dixhitale dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë. Këtë herë bëhet fjalë për platformën “Pasqyrë Albania”, të cilën kreu i qeverisë e cilëson si një risi që do të përmbledhë të gjitha institucionet shtetërore në një hapësirë të vetme dixhitale.
Rama zhvilloi sot një takim me ekspertët e AKSHI-t, të angazhuar në konfigurimin e platformës, ku u njoh me funksionalitetet dhe risitë që pritet të ofrojë. Sipas tij, qytetarët do të kenë mundësi ta aksesojnë atë nga kompjuteri dhe telefoni, ndërsa në ditët në vijim do të krijohet edhe një sistem komunikimi i drejtpërdrejtë me institucionet.
Projekti parashikon përfshirjen e faqeve zyrtare të ministrive dhe institucioneve shtetërore, si dhe integrimin e shërbimit e-Albania. Përmes një klikimi, qytetarët do të mund të orientohen drejt institucionit ku kërkojnë informacion apo shërbim.
“Çdo institucion do të jetë në këtë Pasqyrë. Pra, ‘Pasqyrë Albania’ është një inovacion që përmbledh të gjithë shtetin, të gjitha dritaret dhe dyert e shtetit në pasqyrën dixhitale të celularit apo të kompjuterit tënd”, deklaroi Rama.
Sipas ekspertëve të AKSHI-t, platforma nuk do të kufizohet vetëm në komunikimin përmes chatbot-it, por synon të krijojë një kanal të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe punonjësve përgjegjës në institucionet përkatëse. Si shembull u përmend rasti i një pensionisti që kërkon informacion nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe mund të marrë përgjigje në kohë reale.
Por ambiciet e kryeministrit shkojnë edhe më tej. Rama paralajmëroi se sistemi do të trajnohet gradualisht për të përdorur agjentë të inteligjencës artificiale, të cilët në të ardhmen do të kryejnë ndërveprime me qytetarët pa pasur nevojë për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të punonjësve.
“E në ndërkohë, kjo do trajnojë agjentët e inteligjencës artificiale, të cilët pastaj do t’i bëjnë këto ndërveprime pa pasur nevojë fare për njeriun mbrapa dhe gjithë sistemi do të jetë një sistem që do të funksionojë mbas një periudhe kohe, natyrisht sepse kërkohet një stërvitje, kërkohet një kohë, do të funksionojë me shumë më tepër shpejtësi, sepse do të jetë një sistem i harmonizuar tërësisht nga superinteligjenca”, u shpreh kryeministri.
Rama e lidhi gjithashtu prezantimin e platformës me protestën e zhvilluar në fillim të qershorit, të cilën e përmendi si “protesta e flamingove”, duke e cilësuar projektin si një prej rezultateve të reflektimit mbi atë manifestim.
Megjithatë, përtej premtimeve për dixhitalizim, inteligjencë artificiale dhe administratë më të shpejtë, mbetet e hapur çështja e shqetësimeve konkrete të qytetarëve dhe bizneseve. Në një kohë kur paketa e re fiskale parashikon ndryshime në taksa dhe TVSH, të cilat kanë ngritur shqetësime për rritjen e barrës financiare mbi biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë, prezantimi i një tjetër platforme dixhitale nuk zëvendëson zgjidhjet ekonomike dhe sociale që kërkohen nga qytetarët.