Policia ka identifikuar në një kohë të shkurtër personat e dyshuar që dhunuan ambientet e Komisariatit nr. 3, duke dëmtuar xhamat dhe derën hyrëse të institucionit.
Siç u raportua më parë, një grup protestuesish të maskuar iu afruan komisariatit gjatë zhvillimit të tubimit dhe goditën me sende të forta xhamat dhe hyrjen e godinës. Të njëjtët persona ishin të pranishëm edhe në protestën e zhvilluar përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa, sipas burimeve policore, veprimet e tyre ndaj komisariatit kanë qenë të qëllimshme.
Një fotografi e realizuar përpara nisjes së protestës ka ndihmuar hetuesit në identifikimin e tyre. Siç shihet edhe në pamjet e ofruara, në disa momente të tubimit ata kanë hequr maskat, duke bërë të mundur identifikimin e tyre.
Çështja tashmë i është referuar organeve kompetente, të cilat do të vijojnë hetimet për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes dhe për të vendosur përballë përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë në aktet e dhunshme.
