Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar zgjerimin e hetimeve ndaj ish-drejtoreshës së Albcontrol dhe zyrtares së lartë Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas SPAK, pas veprimeve të mëtejshme hetimore në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, ndaj Ballukut janë krijuar dyshime të arsyeshme edhe për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur më 3 qershor 2026 masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi një vilë në resortin turistik “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, e cila dyshohet se është në pronësinë indirekte të Ballukut.
Balluku e ka marre kete lajm te zi per te, vetem pak kohe para se te niset me pushime ne vilen e saj luksoze, te cilen sipas SPAK e ka bere me leket e korrupsionit.
Objekti i sekuestruar është një vilë individuale dykatëshe tip “Begonia”, me sipërfaqe ndërtimi 103 metra katrorë, verandë 34 metra katrorë dhe parcelë jo më pak se 300 metra katrorë.
Sipas hetimeve paraprake, pasuria dyshohet se përfaqëson një përfitim të parregullt në vlerën 145 mijë euro, i cili pretendohet se është kërkuar dhe marrë nga Balluku në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” sh.p.k. në një procedurë prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol.
Hetuesit pretendojnë se në procedurën me objekt “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit mbi 88.6 milionë lekë, si dhe në shtesën e kontratës me vlerë mbi 14.1 milionë lekë pa TVSH, janë kryer veprime në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik.
Sipas SPAK, Balluku, në cilësinë e Drejtoreshës së Përgjithshme të Albcontrol, së bashku me ish-shefin e Prokurimeve Evis Berberi dhe anëtarë të tjerë të njësisë së prokurimit, dyshohen se kanë hartuar kritere dhe dokumente tenderi që favorizonin operatorin ekonomik fitues.
Prokuroria pretendon se favorizimi i kompanisë “Eurocol” ka vijuar edhe gjatë zbatimit të kontratës, përfshirë dhënien e një parapagese prej 50 për qind të vlerës së saj.
Sipas dosjes hetimore, vila në resortin “White Rocks” konsiderohet si përfitimi i parregullt i marrë në këmbim të këtij favorizimi. SPAK pretendon gjithashtu se janë përdorur veprime juridike fiktive për të fshehur origjinën dhe pronësinë reale të pasurisë.
Hetimet kanë evidentuar një kontratë porosie të vitit 2018 dhe kontrata të mëvonshme qiraje, të cilat dyshohet se janë përdorur për të maskuar pronësinë e vërtetë të vilës. Në këtë skemë, sipas Prokurorisë, janë përfshirë edhe persona të tjerë, të identifikuar me inicialet I.T. dhe J.B.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive penale për secilin prej tyre.
Ndërkohë, personat e përmendur në procedim gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
