Një zjarr i madh ka përfshirë këtë të diel një banesë në fshatin Hoxhar i Vjetër, në Fier. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një bombol gazi që përdorej për gatim.
Në momentin e ngjarjes, brenda banesës ndodhej 33-vjeçari Redjan Llambro, i cili fatmirësisht ka arritur të shpëtojë pa lëndime. Sipas banorëve të zonës, i riu vuan nga epilepsia dhe dyshohet se, në momentin që ka ndezur bombolën e gazit për të gatuar, ka pësuar një krizë epileptike dhe ka humbur kontrollin.
Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se ka rrëzuar edhe bombolën, duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi në orenditë dhe ambientet e banesës. Kanë qenë fqinjët ata që kanë konstatuar tymin që dilte nga shtëpia dhe kanë ndërhyrë menjëherë për të nxjerrë 33-vjeçarin jashtë.
Po ashtu në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen dhe izolimin e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në banesat përreth.
Në banesë jetonin 33-vjeçari Redjan Llambro dhe nëna e tij, e cila në momentin e rënies së zjarrit nuk ndodhej në shtëpi. Si pasojë e flakëve, banesa ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa janë shkrumbuar të gjitha orenditë shtëpiake.
Pas kësaj ngjarjeje, familja Llambro ka mbetur pothuajse pa asgjë. Të afërmit dhe fqinjët e tyre bëjnë apel për ndihmë dhe solidaritet, duke theksuar se nëna dhe i biri jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe kanë nevojë për mbështetje.