Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar publikisht pas debatit të krijuar mbi takimin e tij me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, si dhe pretendimeve për një mesazh të përcjellë në emër të kryeministrit Edi Rama.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Veliaj mohon kategorikisht pretendimet se ka organizuar apo financuar protestat e zhvilluara në vend, duke sfiduar kryeministrin të publikojë qoftë edhe një provë të vetme për këto akuza.
Në reagimin e tij, kryebashkiaku shprehet se nuk dëshiron të përplaset me socialistët, por thekson se nuk do të lejojë askënd të cenojë dinjitetin e tij.
“Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.
Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, shkruan Veliaj.
Pjesën kryesore të reagimit e zë një letër e publikuar nga vetë kryebashkiaku, për të cilën ai pretendon se është shkruar me dorën e tij dhe përmban të vërtetën e takimit me ministrin Toni Gogu, të premten në orën 22:30.
Sipas shënimeve të Veliajt, ministri i Drejtësisë i ka përcjellë kërkesa që, sipas tij, vinin nga kryeministri Edi Rama. Ai pretendon se Rama ishte përfshirë drejtpërdrejt në transferimin e tij në burgun e Fierit, izolimin dhe çështje që lidhen me lejet për takime, spitalin dhe aksesin te miqtë e familjarët.
Në letër, Veliaj rendit tri kërkesa që pretendon se i janë komunikuar gjatë takimit: të pranojë përfshirjen në organizimin e protestave të “Flamingove” dhe studentëve, të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës duke ia deleguar atë Arbër Hajdarit dhe të mos këshillohet më me ish-deputetin Plarent Ndreca.
Për pretendimin e parë, Veliaj shkruan se i është komunikuar se nëse nuk pranon përfshirjen në protesta, mund t’i shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues”, duke përmendur edhe dënime të mundshme prej 100 vitesh burg.
Kryebashkiaku i cilëson këto pretendime si “haluçinacione bolshevike” dhe i kërkon Ramës të dalë publikisht me prova.
“Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time.
Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave.
Ndryshe ik!”, përfundon reagimin e tij Erion Veliaj.
Në statusin e plotë, Veliaj shkruan:
Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.
Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai.
Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time.
Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave.
Ndryshe ik!
Letra e plotë:
E premte, ora 22:30
Toni Gogu vjen në takim pas 20 muajsh.
TG: R ka bërë transferimin, urdhër që ky nga konvikt duhet të bëjë burg tamam dhe që personalisht është marrë dhe me lejen për spital, lejet për takime, deri te aksesi tek miqtë e familja.
R ka bypass TG dhe ka urdhëruar vetë transferimin e izolimin me këto 3 kërkesa:
Prano përfshirjen me Flamingot – Studentët ose do të shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302.
Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari).
Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën
Veliaj plas ”bmbën” e rradhës, reagon pas takimit me Toni Gogun dhe kërcënimet nga Edi Rama