Qeveria do të rrisë edhe më shumë kushtëzimet për përdorimin e parasë cash për pagesa. Në ndryshimet që do ti bëhen projektligjit ‘Për Procedurat Tatimore’, është vendosur gjobë sa 10% e faturës nëse pagesa me para në dorë është më e lartë sesa tavani që ka caktuar qeveria.
“Tatimpaguesit, personat fizikë, individët tregtarë dhe të vetëpunësuar apo entitetet, që kryejnë transaksione shitjeje ose blerjeje me para në dorë, në kundërshtim me kufizimet e përcaktuara në pikat 1 dhe 3 të nenit 59, të këtij ligji, dënohen me gjobë në masën 10 për qind të vlerës së secilit transaksion.”, thuhet në projektligj.
Praktikisht nëse një biznes bën një pagesë në cash me vlerë 200 mijë lekë, ndërkohë që limiti është 100 mijë lekë do të paguaj gjobë 20,000 lekë
Prej këtij viti qytetarët nuk mund të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 500 mijë lekë, apo bizneset jo më të lartë se 100 mijë lekë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në muajin gusht 2026, vlera e parasë në qarkullim cash arriti në 534,1 miliardë lekë, nga 483.4 miliardë lekë në fund të dhjetorit 2025, pra një rritje me 10.5%.
Rritja e parasë jashtë bankave vjen në një periudhë kur institucionet po zbatojnë masa për të kaluar në një ekonomi “cashless” pra pa ‘lekë në dorë’.
Rritja e cash-it vjen si rezultat i disa faktorëve, nga zgjerimi i aktivitetit ekonomik, rritja e konsumit, sezoni turistik që shton fluksin e parave, por edhe prej informalitetit apo pastrimit të parave.
Përdorimi masiv i pagesave me lekë në dorë, për ekonominë ka kosto e pasoja negative, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar dhe krijon më shumë mundësi për informalitet, ndërsa gjurmimi i transaksioneve është thuajse i pamundur.