Nevenka Tromp, ish-hetuese e Tribunalit të Hagës në procesin kundër ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq, ka folur në një intervistë për A2 CNN Albania për rastin e Hashim Thaçit dhe Gjykatës Speciale në Hagë.
Tromp ka deklaruar se, sipas saj, Hashim Thaçi është tradhtuar nga Perëndimi, ndonëse ai kishte bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar dhe kishte mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara.
Ajo ka theksuar se udhëheqësit e Kosovës, përfshirë Thaçin, kishin mbështetur themelimin e këtyre Dhomave, duke besuar në drejtësinë e kauzës së tyre dhe në mbështetjen ndërkombëtare.
Deklarata e Tromp vjen në një kohë kur në Kosovë është rikthyer fuqishëm debati mbi rolin e Perëndimit në krijimin e Gjykatës Speciale dhe mbi procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tromp, e cila ka qenë pjesë e hetimeve të Tribunalit të Hagës ndaj Millosheviqit, ka qenë kritike ndaj mënyrës se si është zhvilluar procesi i Speciales dhe ka argumentuar se drejtësia duhet të jetë e paanshme.
