Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën për pezullimin e mandatit të Erion Veliajt, duke i hapur këtij të fundit rrugën për të vijuar në detyrë si kryebashkiak i kryeqytetit.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Binaj është shprehur se vendimi i gjykatës nuk e ndal rrugën e tij politike, ndërsa theksoi se “Tirana ka nevojë për ndryshim” dhe se ai do të rikandidojë për kryebashkiak sa herë që të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme.
“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës, thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet, me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë,” – shkruan Binaj.
Ai e cilësoi garën e tij jo si një luftë për pushtet, por si një përpjekje qytetare për të kthyer Tiranën në një qytet të jetueshëm, duke u zotuar për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të vijuar betejën politike.
“Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë – për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim.
Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë,” – përfundon reagimi i tij.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtë Veliajt për të vijuar mandatin deri në përfundim, ka mbyllur përkohësisht çdo mundësi ligjore për rikthim të zgjedhjeve në Tiranë, por ka hapur një tjetër debat politik brenda opozitës për mënyrën e përfaqësimit në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Florjan Binaj, që u bë figurë e njohur për publikun si aktor dhe satirist, është shndërruar në një nga zërat më të fortë të opozitës qytetare, duke e kthyer kauzën për “Tiranën që duam” në një simbol të rezistencës kundër modelit aktual të drejtimit të qytetit.
