Departamenti Amerikan i Shtetit ka dalë me një thirrje urgjente për të gjithë amerikanët që jetojnë dhe punojnë në Iran. SHBA u ka kërkuar shtetasve të vet që të largohen nga vendi me rrugë tokësore sa më shpejt të jetë e mundur, sipas një alarmi sigurie të lëshuar nga Byroja e Çështjeve Konsullore e Departamentit të Shtetit, i cili thekson se ata që janë në gjendje të largohen “duhet ta bëjnë këtë tani”.
Sipas alarmit, opsionet për t’u larguar nga Irani me rrugë tokësore çojnë në Turqi dhe Armeni. Një pasaportë e vlefshme amerikane është e nevojshme për të hyrë në këto vende.
Për amerikanët që nuk janë në gjendje të largohen nga Irani, departamenti këshillon gjetjen e një vendi të sigurt për të qëndruar.
Ndërkohë që së fundmi një tjetër deklaratë ka ardhur nga amerikanët. Komanda Qendrore e SHBA-së ka bërë me dije se ata sapo kanë bombarduar 11 anije iraniane të cilat ndodheshin në Gjirin e Omanit.
“Dy ditë më parë, regjimi iranian kishte 11 anije në Gjirin e Omanit; sot nuk ka asnjë. Regjimi iranian ka ngacmuar dhe sulmuar anijet ndërkombëtare në Gjirin e Omanit për dekada të tëra.
Ato ditë kanë mbaruar. Liria e lundrimit ka qenë themeli i prosperitetit ekonomik amerikan dhe global për më shumë se 80 vjet. Forcat amerikane do të vazhdojnë ta mbrojnë atë”, thuhet në njoftimin e bërë.
Çfarë ka ndodhur deri më tani:
-Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim virutal me ambasadorët shqiptarë që ndodhen në vendet e prekura të luftës. Ata ritheksuan mbështetjen diplomatike duke theksuar se janë në kontakt me shtetasit shqiptarë të cilët ndodhen në Lindjen e Mesme (LEXO KËTU)
– Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan përsëriti se Irani nuk mund të sigurojë një armë bërthamore, duke theksuar se ishte shansi i fundit i Uashingtonit për të ndaluar Teheranin përpara se ai të sigurojë armë bërthamore dhe la të kuptohej se konflikti mund të vazhdonte për më shumë se pesë javë. (LEXO KËTU)
– Irani thuhet se përdori “një brez të ri, jashtëzakonisht të rëndë raketash” në sulmet kundër forcave amerikane në Lindjen e Mesme më të gjerë.
– Donald Trump dha një intervistë telefonike për Neë York Post. Duke iu përgjigjur një pyetjeje, ai nuk përjashtoi dërgimin e forcave ushtarake tokësore në Iran.
– Gjenerali iranian kërcënon drejtpërdrejt Qipron: Do të lëshojmë aq raketa sa të jetë e nevojshme për të nxjerrë amerikanët që andej
– Pak pas orës 12:00 të mesditës, sirenat ranë në Qipro dhe dy bazat britanike u evakuuan. Më parë, Ministria e Jashtme Britanike raportoi se droni që goditi bazën ushtarake të Akrotirit po synonte pistën e aeroportit
– Izraeli ka nisur sulme kundër Hezbollahut në Liban, me Tel Avivin që ka deklaruar se është gati për një sulm tokësor.
– Raportohet se gruaja e Khameneit ka ndërruar jetë nga plagët e marra.
– Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në një takim informues mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, tha se “ne nuk e nisëm luftën në Iran, por do ta përfundojmë atë”
– Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit njoftoi se disa avionë luftarakë amerikanë janë rrëzuar
– Franca po shqyrton përfshirjen në mbështetjen mbrojtëse të vendeve të Gjirit, ndërsa Gjermania mohoi se do të përfshihej ushtarakisht kundër Iranit.
– Një sulm iranian u krye gjithashtu sot në objektet e naftës në Arabinë Saudite, ndërsa pati shpërthime në Abu Dhabi, Dubai, Doha dhe Bahrein.
