Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit ka njoftuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar se çdo anije që tenton të kalojë do të përballet me zjarr. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime të mëdha në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më strategjike në botë, duke lidhur Gjirin Persik me Gjirin e Omanit. Rreth 20% e konsumit global të naftës kalon përmes saj. Vetëm vitin e kaluar, mbi 20 milionë fuçi naftë bruto dhe karburant u transportuan nëpër këtë rrugë.
Eksportet e OPEC-ut: Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku dërgojnë pjesën më të madhe të naftës së tyre përmes ngushticës, kryesisht drejt Azisë.
Katari, një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit natyror të lëngshëm (LNG), përdor ekskluzivisht këtë rrugë për eksportet e tij.
Mbyllja e ngushticës pritet të shkaktojë rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe gazit, si dhe tensione të reja gjeopolitike mes fuqive të mëdha që varen nga furnizimet e Lindjes së Mesme.
