Një deklaratë e fortë dhe paralajmëruese ka ardhur nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili, në një intervistë televizive, është shprehur se të paktën tre politikanë nga të dyja krahët e politikës nuk do të arrijnë të marrin mandatin e deputetit në shtator, pasi SPAK pritet të ngrejë zyrtarisht akuzat ndaj tyre përpara se të fillojë legjislatura e re.
Sipas Valterit, disa nga hetimet më të ndjeshme që kanë përfshirë emra të përfolur për korrupsion dhe abuzim me pushtetin janë në fazën përfundimtare, dhe Prokuroria e Posaçme pritet t’i mbyllë ato brenda afateve ligjore, duke ndaluar kështu hyrjen e këtyre politikanëve në Kuvend.
“Mbi tre politikanë nuk do ta marrin mandatin e deputetit dot në shtator, pasi do t’u komunikohet akuzë. Janë nga të dyja krahët, majtas e djathtas. Nuk i di emrat me siguri, se po t’i dija do t’i thosha. Por i kam ndjekur dosjet. Hetimet për disa figura politike janë drejt përfundimit, dhe brenda afateve ligjore, do të ketë komunikim zyrtar të akuzave,” – deklaroi Valteri.
Ai theksoi se bëhet fjalë për politikanë që kanë ardhur nga një e kaluar modeste, por që sot shfaqin një standard jetese të pashpjegueshëm, duke përmendur simbolikisht: “Kanë ardhur me opinga të lidhura me tel bakri dhe sot lëvizin me Range Rover dhe marrin 200 mijë euro rrugëve të Tiranës.” 
