Një ngjarje rrëqethëse ka tronditur opinionin publik në Florida, ku një baba akuzohet për vrasjen e të birit të tij 18-muajsh, pasi e la të mbyllur në një makinë të mbingrohur për mbi tre orë, ndërkohë që ai pinte në një bar dhe bënte flokët.
Sipas Zyrës së Sherifit të Volusia County, Scott Allen Gardner, 33 vjeç, e la vogëlushin Sebastian brenda automjetit të tij në një ditë përvëluese, kur temperatura jashtme arrinte 33°C. Trupi i fëmijës u gjet me një temperaturë tronditëse prej 44°C, sipas ekspertizës mjeko-ligjore.
Policia tentoi pa sukses të ringjallte fëmijën në vendngjarje. Sebastian nuk arriti të mbijetonte.
Gardner u arrestua më vonë në shtëpinë e nënës së tij, pasi më herët kishte dhënë deklarata të pavërteta për rrethanat e ngjarjes. Gjatë momentit të ndalimit, dëshmitarët raportojnë se ai u dëgjua duke thënë “ju dua” familjarëve, ndërsa dikush i tha ftohtë: “Thuaj lamtumirë, se nuk do të kthehesh më këtu.”
33-vjeçari është vënë përballë drejtësisë me akuza për vrasje të rëndë të një të mituri dhe neglizhencë ekstreme me pasoja fatale, ndërkohë që ndaj tij është caktuar një garanci prej 100 mijë dollarësh.
Në mbështetje të familjes së fëmijës është hapur një faqe GoFundMe nga Melissa Camacho, në emër të gjyshes së Sebastianit, Jody Thereault. Në përshkrim thuhet:
“Askush nuk duhet të përjetojë dhimbjen e humbjes së një fëmije. Drita dhe shpirti i Sebastian do të jetojnë përgjithmonë në zemrat e të gjithëve që e deshën.”