Valteri nuk dha emra, por i mëshoi faktit që disa nga këta politikanë janë thirrur disa herë nga SPAK, dhe se hetimet ndaj tyre janë zhvilluar në heshtje, por me intensitet të lartë, në përfundim të afateve dyvjeçare apo trevjeçare që parashikon ligji për hetime të tilla.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur opinioni publik është më i ndjeshëm se kurrë ndaj çështjeve të drejtësisë, sidomos në prag të përurimit të një Parlamenti të ri që, në letër, duhet të përfaqësojë besimin qytetar.
Në intervistën e tij, ish-deputeti ndalet edhe tek procesi i rinumërimit të votave, veçanërisht në disa zona ku janë identifikuar, sipas tij, manipulime flagrante në favor të partive të mëdha dhe në dëm të subjekteve të vogla politike.
“Duhet të mbajnë përgjegjësi ata që i kanë bërë këto manipulime. Çdo kuti që ka patur abuzim duhet të penalizohet. Numëruesit që kanë deformuar vullnetin e zgjedhësve duhet të dënohen. Ato janë krime që dëmtojnë themelet e demokracisë,” – u shpreh Valteri.
Ai theksoi se është e papranueshme që vota e një subjekti të vogël t’i transferohet një partie të madhe në mënyrë të qëllimshme, duke e cilësuar këtë një akt hajdutërie elektorale.
“Kur një votë që i takon një partie të vogël i jepet PS-së, PD-së apo një force tjetër për interesa të numëruesit apo të urdhrave politikë, kjo është grabitje. Çdo qytetar meriton që vota e tij të numërohet siç është hedhur në kuti.”
Valteri i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të bëjë publikisht emrat e numëruesve që kanë abuzuar dhe të kërkojë nga institucionet e drejtësisë të nisin ndjekje penale për ta. Sipas tij, këta persona duhet të ndëshkohen jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht, duke marrë “njollën e hajdutit të votës” përpara gjithë shoqërisë shqiptare.
Në përfundim, Halit Valteri i bëri thirrje institucioneve që të mos hezitojnë në përballjen me krimet zgjedhore dhe korrupsionin politik, duke theksuar se një demokraci e vërtetë nuk ndërtohet mbi heshtje, marrëveshje në prapaskenë apo deformim të vullnetit qytetar, por mbi ligj, ndëshkim dhe transparencë.
Deklaratat e tij pritet të ndezin debatet në ditët në vijim, ndërsa sytë e publikut mbeten të përqendruar te veprimet e SPAK, që duket se është në prag të një vale të re goditjesh ndaj politikanëve të lidhur me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pushtetit.