Detaje të tjera dalin nga dosja e SPAK në lidhje me vilën në pronësi të Igli Tares në kompleksin White Rocks në Dhërmi, e cila disa vite më parë frekuentohej për pushime verore edhe nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Këtë herë bëhet fjalë për dëshminë e M. Smones, vajzës së pastrueses Lavdie Smone, e cila ka konfirmuar para agjentëve të BKH-së se kishte shkuar dy herë në vilën në Dhërmi për të ndihmuar nënën e saj me pastrimin.
E reja është marrë në pyetje në lidhje me fotografinë e një kutie të kuqe me tufa kartëmonedhash 50-euroshe, të datës 17 korrik 2021, e cila është administruar në dosjen hetimore.
Sipas dëshmisë, ajo ka pranuar se kishte hyrë në vilën ku punonte nëna e saj, por ka mohuar të ketë parë ndonjëherë para apo të ketë dijeni për fotografinë e kutisë me euro.
“Nuk e di emrin e kompleksit, por di që kam shkuar në një vilë në Dhërmi në të cilën ka punuar mami im. Kam shkuar 2 herë”, ka deklaruar ajo.
Vajza ka shpjeguar se nuk e mbante mend periudhën e saktë kur kishte shkuar në vilë, por kujtonte se në atë kohë ishte studente.
“Studente unë kam qenë në vitet 2019 deri në vitin 2023. Në rastet që kam shkuar te vila kam ndihmuar mamin për pastrimin”, është shprehur M. Smone.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se nuk e kujtonte vilën as nga mobilimi dhe as nga vendndodhja e saj.
Por pjesa më interesante e dëshmisë lidhet me pyetjet për kutinë me euro dhe nëse ajo apo prindërit kishin dijeni për praninë e parave në banesë.
“Në asnjë rast kur kam qenë në vilë nuk kam parë para. Po ashtu në biseda me prindërit nuk është diskutuar kurrë për para të gjetura në vilë apo për foto”, ka deklaruar vajza e pastrueses.
Ajo ka shtuar se nuk kishte dijeni as për fotografinë, as për kutinë e kuqe dhe as për përmbajtjen e saj.
“Nuk kam dijeni për foton, as për kutinë e kuqe dhe për asgjë se çfarë ka në atë foto”, është shprehur e reja.
Gjatë marrjes në pyetje, agjentët e BKH-së e kanë pyetur edhe për faktin se fotografia e datës 17 korrik 2021 rezultonte të ndodhej në telefonin e saj.
“Nuk e di dhe nuk e shpjegoj dot. Unë di që nuk e kam parë asnjëherë këtë foto dhe çfarë përmban ajo. Është hera e parë që e shikoj këtë foto”, ka deklaruar ajo.
Dëshmia e vajzës vjen pas marrjes në pyetje të nënës së saj, Lavdie Smone, e cila ka shpjeguar se kryente shërbime pastrimi në gjashtë vila të ndryshme në kompleksin White Rocks, përfshirë edhe atë në pronësi të Igli Tares.
Edhe pastruesja ka mohuar të kishte dijeni për fotografinë e kutisë me euro, duke deklaruar se nuk e kishte parë kurrë më parë.
Nga dëshmia e M. Smones rezulton se ajo konfirmon praninë e saj në vilë për të ndihmuar të ëmën me pastrimin, por mohon të ketë parë para apo të ketë dëgjuar prindërit të diskutojnë për shuma parash të gjetura në atë banesë.
Dëshmia e plotë e M. Smones, vajzës së pastrueses Lavdie Smone, para SPAK
Pyetje: A e keni qenë ndonjëherë në vilën në të cilinë ka punuar nëna juaj në dhërmi, në kompleksin “White Rocks”?
Përgjigje: Nuk e di emrin e kompleksit, por di që kam shkuar në një vilë në dhërmi në të cilën ka punuar mami im. Kam shkuar 2 herë. Nuk e kujtoj periudhën kur kam shkuar te vila në dhërmi, por kujtoj se kam qenë studente. Studente unë kam qenë në vitet 2019 deri në vitin 2023.
Në rastet që kam shkuar te vila kam ndihmuar mamin për pastrimin. Nuk e kujtoj vilën as si mobilim dhe as si vendndodhje. Në asnjë rast kur kam qenë në vilë nuk kam parë para. Po ashtu në biseda me prindërit nuk është diskutuar kurrë për para të gjetura në vilë apo për foto. Nuk kam dijeni për foton, as për kutinë e kuqe dhe për asgjë se çfarë ka në atë foto.
Pyetje: Si e shpjegoni faktin që foto e mësipërme me datën 17.7.2021 ndodhet në telefonin tuaj?
Përgjigje: Nuk e di dhe nuk e shpjegoj dot. Unë di që nuk e kam parë asnjëherë këtë foto dhe çfarë përmban ajo. Është hera e parë që e shikoj këtë foto.
Pyetje: Keni gjë për të shtuar?
Përgjigje: Jo nuk kam.
/skyweb.al