Detaje të reja kanë dalë në dritë për gjendjen shëndetësore të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë dhe më pas u transportua drejt Italisë për trajtim të specializuar.
Vëllai i tij, Emiljan Vishkulli, ka folur për Klan News, duke treguar se gjendja e Erjonit është stabilizuar dhe se mjekët kanë dhënë sinjale shpresëdhënëse për mundësinë e rikuperimit të syrit të dëmtuar.
“Gjendja e Erjonit duket më e stabilizuar. Na kanë thënë fjalë të mira për pjesën e rikuperimit të syrit. Shpresojmë që vëllai të na vijë ashtu siç e patëm”, u shpreh ai.
Sipas Emiljanit, 28-vjeçari pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale ditën e nesërme, nga e cila familjarët shpresojnë të marrin lajme pozitive.
“Gjendja e vëllait duket mirë dhe strukturat shtetërore na janë përgjigjur në mënyrë korrekte. Nesër pritet që të bëhet operacioni i dytë, që shpresojmë që të jetë me lajme të mira”, deklaroi ai.
Vëllai i të plagosurit falënderoi gjithashtu institucionet shtetërore për ndihmën e ofruar, duke zbuluar se transportimi drejt Italisë është realizuar me një avion të posaçëm, të shoqëruar nga një ekip mjekësor.
“Kemi pasur një avion të posaçëm, me mjekë që ishin kastile për vëllain. Për çdo lloj iniciative na janë përgjigjur strukturat shtetërore, si avionin, të gjitha i ka sjellë shteti deri në këto momente”, tha Emiljan Vishkulli.
Erjon Vishkulli mbeti i plagosur në zonën e syrit gjatë protestës në kryeqytet, ku dyshohet se u godit nga një plumb gome. Fillimisht ai mori trajtim në Spitalin e Traumës, përpara se të dërgohej jashtë vendit.
Më herët, gazetari Flavio Qarri kishte raportuar se 28-vjeçari kishte humbur shikimin në syrin e majtë. Megjithatë, deklaratat e fundit të familjarëve japin shpresë për rikuperim, ndërsa rezultati i ndërhyrjes së radhës dhe shkalla e dëmtimit të përhershëm mbeten ende të paqarta.