Ekspertja e teknologjisë së informacionit, Denisa Kele, ka ngritur shqetësimin për qarkullimin e videove intime të personazheve publikë në faqe online, duke deklaruar se mes materialeve që ka parë ndodhen edhe pamje që lidhen me figura të politikës shqiptare.
Sipas Keles, disa prej këtyre materialeve vijojnë të jenë të aksesueshme kundrejt pagesës. Ajo i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të ndërhyjë për verifikimin e faqeve dhe marrjen e masave për parandalimin e shpërndarjes së mëtejshme të pamjeve intime.
“Ka personazhe të tjerë nga bota politike që janë pjesë e këtyre faqeve. Shpresoj shumë që policia t’i shohë dhe t’i fshijë. I kam parë dhe i kam identifikuar. Policia është në dijeni të kësaj faqeje. Videot janë ende të aksesueshme me pagesë dhe është shqetësuese”, deklaroi Kele.
Kele: Videot e Adrian Hilës mund të lidhen me një hakerim të centralizuar
Duke komentuar publikimin e videove intime që lidhen me producentin Adrian Hila, ekspertja e IT-së ngriti një tjetër pistë mbi mënyrën se si mund të jenë siguruar materialet.
Kele tha se bëhet fjalë për kamera të fshehta të integruara në pajisje që në pamje të parë duken si objekte të zakonshme. Sipas saj, materialet janë regjistruar gjatë vitit 2024 dhe mund të jenë marrë përmes një sulmi të centralizuar ndaj sistemit apo kompanisë që prodhon pajisjet.
“Janë pajisje që duken si objekte të zakonshme, por që në to vendosen kamera. Këto materiale kanë qenë të regjistruara në vitin 2024. Jam futur në aplikacion dhe janë marrë nga kompani hakerimi ruse”, u shpreh ajo.
Kele shtoi se marrja në pyetje e Adrian Hilës mund të ndihmojë në identifikimin e llojit të kamerave të përdorura dhe në përcaktimin e mënyrës se si janë siguruar regjistrimet.
