Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pellezzanon, në provincën e Salernos në Itali, ku një 85-vjeçare është gjetur e pajetë në banesën ku jetonte së bashku me djalin e saj 53-vjeçar.
Karabinierët e Mercato San Severinos kanë ndaluar djalin e viktimës, ndërsa Prokuroria e Salernos po drejton hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sipas të dhënave paraprake të hetuesve, 53-vjeçari dyshohet se e ka mbytur nënën e tij ndërsa ajo ndodhej duke pushuar në banesë. Dyshohet se pas ngjarjes qëndrojnë konflikte dhe mosmarrëveshje familjare që kishin vazhduar prej kohësh.
Pas krimit të dyshuar, burri raportohet se ka telefonuar numrin e emergjencës 112 dhe ka njoftuar autoritetet për atë që kishte ndodhur. Më pas, ai është larguar nga banesa.
Karabinierët e kanë lokalizuar pak kohë më vonë, teksa lëvizte në këmbë në rrugët e qytetit, dhe e kanë ndaluar.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes, motivin dhe përgjegjësitë e 53-vjeçarit.
