Skip to content

Erion Veliaj do të dalë nesër nga burgu? Avokati Plarent Ndreca ben deklaraten bombe dhe jep detajet

Në “vigjilje” të ditës kur dhe pritet të vendoset fati i kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliajt, në studion e emisionit “Top Story” është diskutuar lidhur me Tiranën e cila është pa kryetar dhe çfarë pritet të ndodhë me të.

Pjesë e panelit ka qenë edhe avokati i kryebashkiakut, ish-deputeti Plarent Ndreca, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se ditën e nesërme presin lirtimin e tij, teksa argumentoi më tej edhe pikat e Kushtetueses të cilat e thonë qartë e bardha mbi të zezë se një i zgjedhur nga populli nuk mund të qëndrojë në qeli pa pasur prova të besueshme të cilat e inkriminojnë atë.

Sipas Ndrecës, kjo balancë nuk është vetëm një çështje që buron nga jurisprudenca shqiptare, por është një parim i trajtuar edhe nga Komisioni i Venecias. Ai ka argumentuar se për sa kohë bëhet fjalë për një funksionar të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, vendimmarrja për masën e sigurisë duhet të jetë e argumentuar dhe në balancë.

“Gjykata ka detyrim që të marrë në shqyrtim jo vetëm një interes, por çdo interes Kushtetues dhe drejtimi i Bashkisë së Tiranës është një e drejtë Kushtetuese. Gjykata, ashtu siç e thotë Kushtetuesja tanimë, që në shqyrtimin që ju do i bëni masës së sigurimit, përveç elementeve, kushteve, si çdo individ, ju do të vendosni në balancë dhe të drejtën që ka kryetari i Bashkisë dhe qytetarët e Tiranës që të drejtohen nga ai që kanë zgjedhur. E thotë edhe Komisioni i Venecias, jo vetëm Gjykata Kushtetuese. Gjykatat, kur bëhet fjalë për një kryetar Bashkie, një të zgjedhur, duhet të kenë kujdes sepse duhet të ruajnë balancën”, tha ai.

Në të njëjtën linjë, avokati ka kundërshtuar edhe argumentin se Veliaj mund të ndikojë apo të intimidojë personat nën hetim duke thënë se nuk ekziston asnjë provë konkrete që të mbështesë një dyshim të tillë

“Nuk ka asnjë provë, dyshim të bazuar që Veliaj ka intimiduar apo mund të intimidojë. Këto nuk janë hipotetike, por e thotë dhe Kushtetuesja në shpjegimin e saj. Një anëtar i Gjykatës Kushtetuese thotë që jo vetëm nuk plotëson kriteret, por nuk ka dyshime të arsyeshme fare. Nuk ka prova fare për zotin Veliaj, janë të gjitha aludime, hipotetike. Po flas për çfarë ka mbledhur SPAK deri tani. Aman sot, një anëtar i Kushtetueses ka folur për themelin sepse ka parë qartësisht që nuk ka dyshim të arsyeshëm që është kusht për të marrë masë sigurimi, jo arrest me burg, arrest me burg është masa më ekstreme. Që të marrësh një masë sigurimi për një person në hetim duhet të plotësohet kushti për kushtin e dyshimit të arsyeshëm, një anëtar i Kushtetueses thotë që nuk ka prova fare për intimidim”, tha ai më tej.

Pas tij fjalën e ka marrë gazetari Filip Çakulli, i cili ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, duke argumentuar se bazuar në ato që janë bërë publike deri më tani, nuk janë paraqitur prova të mjaftueshme që të justifikojnë arrestimin dhe mbajtjen në burg të Veliajt.

“Për Veliaj nuk janë mbledhur provat e duhura për ta arrestuar dhe për ta futur në burg. Janë mbledhur thashetheme dhe një pjesë e prokurorëve kanë nxjerrë vetë në mënyrë të paligjshme telefonata. Tani prokuroria thotë që populli e di që ai është fajtor. Përderisa bëhet ky linçim publik…”, tha ai ndër të tjera.

Diskutimi vjen në një moment vendimtar për fatin e Erion Veliajt, teksa Gjykata e Lartë pritet të japë nesër më 15 shtator një vendim që mund të përcaktojë jo vetëm vijimin e masës së arrestit, por edhe mënyrën se si do të funksionojë Bashkia e Tiranës në vijim.

Published inLajme