Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Shkodrës, ku një grua ka humbur jetën pasi dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga bashkëshorti i saj. Krimi ndodhi mesditën e së enjtes, 9 korrik, në lagjen “Mark Lula”, në zonën e Unazës Lindore të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja është regjistruar rreth orës 13:30, kur 62-vjeçari me inicialet Sh. Z. dyshohet se ka qëlluar me një armë gjahu (çifte) bashkëshorten e tij, B. Z., rreth 55 vjeçe, pranë portës së banesës së tyre.
Si pasojë e plagëve të marra, gruaja humbi jetën në vendngjarje, ndërsa shërbimet e emergjencës nuk arritën ta shpëtonin. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Shtetit, të cilat kanë bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar vetëm pak minuta pas krimit.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit bëri të ditur se:
“Rreth orës 13:30, në lagjen ‘Mark Lula’, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi Sh. Z., 62 vjeç, ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij, shtetasen B. Z., rreth 55 vjeçe. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë kapur autorin e dyshuar, i cili u shoqërua në Komisariat për kryerjen e veprimeve procedurale. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer krimi.”
Arma e përdorur në ngjarje është sekuestruar si provë materiale, ndërsa grupi hetimor ka nisur ekzaminimin e vendit të krimit dhe mbledhjen e provave që do t’i shërbejnë hetimit.
Edhe pse policia paraprakisht ka përmendur se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta, rrethanat e plota dhe shkaku i konfliktit nuk janë sqaruar ende. Hetuesit pritet të marrin në pyetje familjarë, fqinj dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për marrëdhëniet mes çiftit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që çuan në këtë krim të rëndë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje te banorët e zonës, ndërsa autoritetet pritet të japin detaje të tjera pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.
Personi i arrestuar prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
