Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në lagjen “Erdogan” në Laç, ku mbeti i vrarë Ilir Gjini, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure.
Sipas burimeve hetimore, 40-vjeçari është zënë në pritë në momentin kur kishte parkuar automjetin dhe po hynte në pallatin ku jetonte. Në ato çaste, autori i dyshuar ka hapur zjarr në drejtim të tij, duke e detyruar viktimën të tentonte të largohej për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave.
Megjithatë, përpjekja e tij për të shpëtuar ka zgjatur vetëm pak çaste. Autorët e kanë ndjekur nga pas dhe kanë qëlluar sërish në drejtim të tij pranë hyrjes së godinës. Plumbat rezultuan fatalë për 40-vjeçarin, ndërsa njëri prej tyre e goditi në pjesën e qafës, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Nga të dhënat paraprake mësohet se Ilir Gjini është goditur me shtatë plumba. Edhe pse u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar të vrasjes Emiljano Sutin, i cili është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve paraprake, autori dhe viktima banonin në të njëjtën lagje në Laç.
Ilir Gjini ishte me origjinë nga Miloti, ndërsa prej vitesh jetonte në Laç. E kaluara e tij po verifikohet nga grupi hetimor, ndërsa një nga pistat kryesore lidhet me qëndrimin e tij jashtë vendit.
Ndërkohë, hetuesit vijojnë punën për të zbardhur plotësisht dinamikën e atentatit, për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarje si dhe për të zbardhur shkakun që solli këtë tragjedi.
