Skip to content

E FUNDIT, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Erion Veliajn

Gjykata Kushtetuese ka publikuar të plotë vendimin lidhur me kërkesën e Erion Veliajt për shfuqizimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”. Përmes këtij dokumenti prej 229 paragrafësh, Gjykata zbardh arsyet pse vendosi, me shumicë votash, të shfuqizojë vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata e Lartë nuk u kishte dhënë një përgjigje të arsyetuar dy pretendimeve thelbësore të kërkuesit.

1 )Gjykata vlerësoi se nuk ishte analizuar mjaftueshëm nëse masa “Arrest në burg” ishte e domosdoshme në raport me të drejtën për t’u zgjedhur (neni 45 i Kushtetutës). Sipas vendimit, Gjykata e Lartë dështoi të ushtronte një kontroll efektiv mbi faktin nëse masat më pak kufizuese, si garancia pasurore, mund të neutralizonin rreziqet pa penguar ushtrimin e funksionit publik të kryetarit të bashkisë.

Related article  Shfaqet për herë të parë foto ja kush është partneri i Gerta Gixharit

2 )Një tjetër pikë ku vendimi i Gjykatës së Lartë u gjet i cenueshëm ishte mungesa e arsyetimit lidhur me qëndrimin e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave. Kërkuesi pretendoi se ky izolim krijonte një imazh negativ, duke e paraqitur si person të rrezikshëm, dhe cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë.

Zbardhja e vendimit zbulon një ndarje të thellë mendimesh mes gjyqtarëve kushtetues.

Katër gjyqtarë shkuan më tej se shumica, duke argumentuar se masa e arrestit ishte joproporcionale në vetvete. Sipas tyre, izolimi i ka pamundësuar Veliajt ushtrimin e detyrës për një periudhë të gjatë në raport me mandatin e fituar, duke cenuar edhe të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga i përzgjedhuri i tyre.

Related article  Malcolm-Jamal Warner's daughter, 8, narrowly escaped drowning accident as horrifying details emerge

Gjyqtari relator, Vokshi, votoi kundër shfuqizimit, duke argumentuar se Veliaj nuk i kishte shteruar mjetet juridike për pretendimin lidhur me mandatin përpara se t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me kabinën e xhamit, ai vlerësoi se ajo nuk përbën në vetvete trajtim degradues, nëse kushtet janë optimale.

Gjyqtarja Bejtja kritikoi ashpër arsyetimin e gjykatave të zakonshme lidhur me “dyshimin e arsyeshëm”, duke vlerësuar se nuk është provuar lidhja individuale e kërkuesit me veprimet korruptive. Sipas saj, arsyetimi është bazuar në fakte të përgjithshme që lidhen me funksionin e tij si titullar.

Nga vendimi i zbardhur rezulton se SPAK ka paraqitur prova që, sipas prokurorisë, vërtetojnë ekzistencën e një “sistemi të organizuar korrupsioni”. Prokuroria argumentoi se kërkuesi u kishte dërguar mesazhe intimiduese hetuesve të BKH-së dhe se vartës të tij kishin kontaktuar dëshmitarët për të ndikuar në deklarimet e tyre. Sipas SPAK-ut, lënia e lirë e Veliajt rrezikonte “helmimin e provave” dhe largimin e tij nga vendi, për shkak të sanksionit të lartë që parashikojnë akuzat.

Related article  Massive Bombing Attack Stopped in NYC

Me shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, çështja kthehet për rishqyrtim në këtë gjykatë. Gjykata e Lartë është tashmë e detyruar të trajtojë në mënyrë shteruese pretendimet për proporcionalitetin e masës në raport me mandatin publik dhe kushtet e trajtimit të kërkuesit në sallën e gjyqit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Published inNEWS