Edi Rama ka kërkuar pasditen e kësaj të enjteje dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve shtetërore në varësi të ministrive, duke përfshirë edhe disa prej institucioneve më të rëndësishme të administratës publike.
Newsbomb.al mëson se urdhri nga kryeministri është dhënë rreth orës 16:00, ndërsa drejtuesve u është kërkuar të paraqesin menjëherë dorëheqjet me shkrim.
Të njëjtat burime tregojnë se brenda orës 17:00 të gjithë drejtuesit e përfshirë në këtë kërkesë kanë dorëzuar kërkesat për largim. Madje, për këtë qëllim, zyrat e protokollit janë mbajtur të hapura, në mënyrë që dorëheqjet të regjistroheshin zyrtarisht.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar pasditen e kësaj të enjteje dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve shtetërore në varësi të ministrive, duke përfshirë edhe disa prej institucioneve më të rëndësishme të administratës publike.
Mes institucioneve të prekura janë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, dy nga strukturat kryesore që përgjigjen për mbledhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Newsbomb mëson se nga kjo kërkesë janë përjashtuar institucionet në varësi të Kryeministrisë, si drejtori i Policisë dhe ai Gardës, drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës apo dhe Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Ndërkaq, mësohet se në këtë urdhër, Rama nuk ka përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë duke e lënë administratën e saj të paprekur.
Lëvizja prek një pjesë të konsiderueshme të administratës shtetërore, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë vendimet për drejtuesit që kanë paraqitur dorëheqjen dhe kush do t’i zëvendësojë ata në detyrë. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga Kryeministria për arsyet e kësaj kërkese dhe hapat që do të ndiqen në vijim.