Drejtori ekzekutiv i kompanisë thuajse me te zgjedhur nga te gjithe per shkak te cmimeve te ulta, Ryanair Holdings Plc, Michael O’Leary, parashikoi një rritje rekord të çmimeve të biletave ajrore në Evropë vitin e ardhshëm, pasi lufta në Lindjen e Mesme vijon të shtyjë për lart çmimet e naftës, duke detyruar kompanitë ajrore t’ua kalojnë konsumatorëve kostot më të larta të karburantit.
Çmimet e biletave pritet të rriten deri në 20% vitin e ardhshëm, deklaroi O’Leary të martën gjatë një konference për shtyp në Bruksel. Si pasojë, marzhet e fitimit të kompanive ajrore do të ngushtohen, pasi edhe rritja e tarifave të karburantit nuk do të mjaftojë për të mbuluar kostot më të larta të naftës, shtoi ai.
“Do të shohim rritjen më të madhe të tarifave të fluturimeve në historinë e Evropës gjatë 12 muajve të ardhshëm”, deklaroi ai, sipas Bloomberg.
Megjithatë, edhe një rritje prej 20% e çmimeve të biletave mund të mos jetë e mjaftueshme për të kompensuar kostot, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi marzhet e fitimit të kompanive ajrore.
“Pyetja është nëse kjo rritje do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar faturat dramatikisht më të larta të naftës. Nuk besoj se do të jetë”, u shpreh O’Leary.
Rritja e menjëhershme e kostove të energjisë përbën një nga sfidat më të mëdha për sektorin e aviacionit, i cili po përballet me pasojat e përshkallëzimit të luftës me Iranin në fillim të këtij viti.
Çmimet më të larta të karburantit për avionët kanë rritur tashmë kostot e kompanive ajrore në mbarë botën, ndërsa njëkohësisht po ndikojnë negativisht edhe në kërkesën për udhëtime me avion.