Ngushëllim Manzi, autori i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve tropojanë në Bathore dhe i plagosjes së një të treti, ka treguar përpara grupit hetimor shkakun që i çoi fqinjët drejt konfliktit dhe deri te përdorimi i armës së zjarrit.
Oficeri i Policisë Ushtarake ka thënë se betonierja të cilin tre vëllezërit Islamaj kishin marrë për murin rrethues që po ndërtonin, kalonte para shtëpisë së tyre dhe ndaj familja Manzi kishte sugjeruar një rrugë alternative.
Mirëpo, siç ka treguar Ngushëllim Manzi, tre vëllezërit i kanë kundërshtuar dhe njëri prej tyre, i ka goditur prindërit. Ndodhur në këto kushte, oficeri i Policisë Ushtarake ka marrë armën e shërbimit dhe ka hapur zjarr.
“Vëllezërit kanë qenë duke kryer punime dhe betoniera vinte para shtëpisë tonë. Ne i kërkuam ta kalonin te një rruge alternative se duhet të bënte shumë manovra. Ata nuk pranuan dhe na u kthyen keq.
Shefqet Islamaj kishte shtyrë dhe goditur prindërit e mi. Kur e mora vesh këtë u nxeha, dhe e godita. Pastaj erdhën dy vëllezërit e tij, Nazmi dhe Selam Islamaj. Sherri degradoi dhe unë i qëllova me pistoletë, të cilën e kisha në shtëpi”, është shprehur Ngushëllim Manzi.
Si pasojë, shtetasi Selam Islamaj, rreth 30 vjeç, humbi jetën, ndërsa shtetasit Nazmi Islamaj, 48 vjeç, dhe Shefqet Islamaj, rreth 44 vjeç, u dërguar me urgjencë në spital, të plagosur. Fatkeqësisht, nga plagët e rënda, 48 vjeçari Nazmi Islamaj ka humbur jetën.
Aktualisht, vëllai i tretë, Shefqet Islamaj rreth 44 vjeç vijon të jetë në kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës.