Eli Fara pritet të bëjë një nga daljet e saj të para publike pas polemikave të ditëve të fundit lidhur me publikimin në internet të videove private, ku emri i saj është përmendur së bashku me kompozitorin Adrian Hila.
Pak para nisjes së emisionit të ri “Live me Luizin” në Top Channel, Luiz Ejlli ka zbuluar emrat e të ftuarve të mbrëmjes së parë. Mes tyre është edhe këngëtarja Eli Fara, së bashku me Alketa Vejsiun, Gjergj Lekën, Manjola Nallbanin dhe Sinan Vllasaliun. Emisioni nis sonte në orën 21:00 dhe është konceptuar si një spektakël me intervista, muzikë live, humor dhe lojëra.
Ejlli nuk ka dhënë detaje lidhur me temat që do të diskutohen me Eli Farën dhe nuk është bërë e ditur nëse këngëtarja do të flasë për çështjen që ka dominuar mediat dhe rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit. Megjithatë, prania e saj në ekran vjen në një moment kur emri i këngëtares është në qendër të vëmendjes për shkak të materialeve private të shpërndara pa autorizim në internet.
Gjatë ditës së sotme është raportuar se Eli Fara ka dhënë dëshminë e saj në polici në kuadër të hetimeve për mënyrën se si këto materiale janë regjistruar dhe kanë përfunduar online. Sipas raportimeve mediatike, Fara ka deklaruar se nuk ishte në dijeni se po filmohej dhe se nuk mendon se Adrian Hila është personi që ka shpërndarë pamjet. Ajo ka kërkuar identifikimin e personit përgjegjës për publikimin e tyre.
Autoritetet po vijojnë verifikimet për të përcaktuar origjinën e materialeve, mënyrën se si janë siguruar dhe personin ose personat që i kanë shpërndarë. Deri tani nuk ka një përfundim zyrtar mbi përgjegjësinë për publikimin e tyre.
Kështu, dalja e Eli Farës në “Live me Luizin” merr një vëmendje të veçantë, pasi publiku do të presë të shohë nëse këngëtarja do të zgjedhë të flasë për ngjarjen apo nëse pjesëmarrja e saj do të mbetet vetëm në kuadrin artistik dhe argëtues të programit.
Luiz Ejlli ka deklaruar se emisioni i ri synon të jetë një format për të gjithë familjen, ku personazhet e njohur do të shfaqen përmes intervistave, muzikës dhe surprizave të ndryshme. Gazeta Shqiptare
