Personi në foto është R. H., 36 vjeç, drejtuesi i furgonit të linjës Berat–Tiranë, i cili humbi jetën në aksidentin e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, në autostradën Durrës–Tiranë.
Si pasojë e përplasjes, 12 pasagjerë u plagosën, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.
Shefi i Urgjencës së Traumës, Agustin Suma ka dhënë detaje për gjendjen e të plagosurve në aksin Tiranë-Durrës ku u përmbys autobusi. Shoferi 36-vjeçar ka mbërritur në spital pa shenja jete. Shefi i Urgjencës thotë se mes të plagosurve janë 2 fëmijë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Ndërkohë, 5 të tjerë janë futur në operim, mes tyre 2 turistë të cilët ende nuk janë identifikuar.

“Janë 2 të mitur, një i moshën 8-9 në gjendje të rëndë, një tjetër 14 vjeç në repartin e observimit. 5 pacientë 30-50 vjeç po i nënshtrohen operacionit. 2 prej tyre janë shtetas të huaj, identiteti i të cilëve nuk janë konfirmuar ende. Ndodhen në gjendje të rëndë. 5 të tjerë janë në gjendje të stabilizuar në urgjencë. Këta të pesë nuk paraqesin rrezik për jetën. Ekipi mjekësor po ndjek nga afër ecurinë klinike të çdo pacienti”, tha ai.
