Skip to content

E shkarkuan nga Fiks Fare, rikthehet fuqishem Filip Cakuli me shkrime, duke sulmuar ashper…

Vetem pak dite pas largimit nga Fiks Fare, Filip Çakuli eshte rikthyer e zakoni i vjeter, ai i shkrimit, ku se fundmi ka publikuar nje opinion kunder gjyqtareve qe kerkojne rritje page. Me poshte shkrimi i plote.

Nga Filip Çakuli

As të drejtit nuk i lejohet të jetë gjyqtar në çështjen e vet…(Paskal)

Gjyqtarët kërkojnë rritje page.

Mos u trembni. Nuk është lajm nga ndonjë vend ku gjyqtari shkon në punë me biçikletë, ha bukë me djathë në drekë dhe në fund të muajit kontrollon nëse i kanë mbetur lekë për dritat.

Është Shqipëria.

Vendi ku pagat e gjyqtarëve janë ndër më të lartat në sektorin publik, por, me sa duket, drejtësia nuk mund të bëhet me barkun bosh. Dhe barku bosh, në këtë rast, është një koncept juridik që fillon diku pranë rrogës së Presidentit dhe Kryeministrit.

Por pjesa më e bukur nuk është kërkesa.

Pjesa artistike është se çështja e pagave të gjyqtarëve përfundon… në gjykatë.

Pra, gjyqtari kërkon rritje page dhe gjyqtari do të shqyrtojë nëse gjyqtari meriton rritje page.

Këtu Montesquieu do ta kishte mbyllur librin.

(Monteskieja përcakton edhe kërkesën mbi ndarjen e pushtetit si parimin 7, ndërtimit të brendshëm shtetëror, e cila ka si qëllim mënjanimin e veprimeve arbitrare të individëve apo grupeve)

Konflikt interesi?

Çfarë fjale e rëndë!

Ne kemi besim te paanshmëria. Aq shumë besim, sa po të më çonin mua në gjykatë për të vendosur nëse duhet të ma dyfishojnë rrogën, do të përpiqesha të isha krejtësisht objektiv.

Do të dëgjoja palët. Do të shqyrtoja provat. Do të konsultoja Kushtetutën.

Pastaj, pas një reflektimi të thellë juridik prej rreth shtatë sekondash, do të vendosja: Rroga të dyfishohet. Vendimi është i formës së prerë.

Madje do të shtoja edhe prapaveprimin.

Sepse drejtësia vonon, por rroga jo.

Drejtësia e ngadaltë dhe paga e shpejtë

Qytetari shqiptar mund të presë me vite për një proces gjyqësor.

Dosja ecën ngadalë.

Seanca shtyhet.

Mungon avokati.

Mungon eksperti.

Ndërrohet gjyqtari.

Riformohet trupi gjykues.

Dosja transferohet.

Vjen vera.

Fillojnë pushimet.

Vjen dimri.

Pastaj pranvera.

Pastaj një reformë në drejtësi.

Pastaj një reformë e reformës në drejtësi.

Dhe një ditë, pas njëzet vjetësh, drejtësia triumfon. Vetëm se paditësi ka vdekur.

Nuk ka problem. Vendimin e marrin trashëgimtarët.

Në Shqipëri mund të trashëgosh shtëpinë, tokën, borxhet dhe, me pak durim, edhe vendimin e gjyshit.

Drejtësia jonë është drejtësi brezash.

Zvarritën gjyqet dhe duhen tre breza për të mbaruar. Bukur e thotë Martin Luter Kingu; një e drejtë e vonuar, është një e drejtë e mohuar.

E nis gjyqin babai, e vazhdon djali dhe vendimin e merr nipi.

Prandaj rroga e gjyqtarit duhet të jetë e mirë. Ka përgjegjësi të madhe: duhet të njohë tri breza të së njëjtës familje.

Populli i lig dhe gojët e këqija

Pastaj janë qytetarët.

Ata gjithmonë flasin.

Thonë se për të fituar ndonjë gjyq duhet të njohësh dikë.

Thonë se ndonjëherë duhet edhe të paguash.

Thonë lloj-lloj gjërash.

Janë thashetheme, sigurisht.

Ne nuk u besojmë thashethemeve.

Por shqiptari është popull i çuditshëm: kur humbet gjyqin, dyshon te gjyqtari, kur e fiton, thotë se fitoi drejtësia.

Dhe kur kundërshtari e fiton:

— Sa i dha?

Kështu është krijuar një degë e re e jurisprudencës shqiptare: matematika popullore e vendimeve gjyqësore.

Nuk pyetet më:

— Çfarë provash kishte?

Por:

— Sa shkoi?

Megjithatë, gjykatat nuk mund të gjykojnë mbi thashetheme.

Ato gjykojnë mbi prova.

Ose të paktën kështu thotë Kodi.

Sepse qytetari ka krijuar edhe një përshtypje tjetër të keqe: se ndonjëherë njeriun e fusim një herë brenda dhe pastaj kemi kohë të kërkojmë provat.

Parimi klasik thotë: Ka prova, hetohet, gjykohet, dënohet.

Versioni folklorik shqiptar perceptohet kështu: Fute brenda, heto, kërko, kërko prapë, shty afatin, ndoshta del ndonjë provë.

Nëse nuk del?

Durim.

Drejtësia nuk bëhet me nxitim. Përveçse kur bëhet fjalë për pagën e drejtësisë.

Reforma funksionoi

Ne bëmë edhe Reformën në Drejtësi.

Na thanë se do të kishim gjyqtarë më të pavarur, më profesionalë dhe një sistem që do t’i kthente qytetarit besimin.

Dhe besimi u kthye.

Sidomos besimi i gjyqtarëve se meritojnë rrogë më të lartë.

Një fshatar, mes dy gjyqtarëve, është si peshku midis dy maceve, ka thënë një president amerikan, Beniamin Franklini. I shkreti, nuk ecën as para, as mbrapa.

Qytetari ndërkohë vazhdon të presë në korridor.

— Kur e kam seancën?

— Muajin tjetër.

— Po çështjen e kam hapur në vitin 2011!

— Pikërisht. Mos u bëni i paduruar. Drejtësia kërkon kohë.

— Po kërkesa për rritjen e pagave?

— Ajo është urgjente.

Sepse vonesa e drejtësisë mund t’i kushtojë qytetarit pronën, lirinë, biznesin apo njëzet vjet jetë.

Ndërsa vonesa e rrogës së gjyqtarit rrezikon themelet e shtetit të së drejtës.

Gjykata Supreme e Rrogës

Prandaj propozoj krijimin e një institucioni të ri:

Gjykata e Posaçme për Mbrojtjen e Pagës së Gjyqtarit.

Anëtarët të jenë gjyqtarë. Kryetari të jetë gjyqtar. Paditësit gjyqtarë. Ekspertët gjyqtarë. Dhe në fund vendimi:

“Në emër të Republikës, Republika detyrohet t’u rrisë pagën atyre që sapo morën këtë vendim.”

Askush nuk mund të thotë se është vendim i njëanshëm.

Janë dëgjuar të gjithë gjyqtarët.

Madje mund të krijojmë edhe Gjykatën e Apelit të Pagave.

Nëse rritja del vetëm 20 për qind, bëhet ankim:

— Është cenuar dinjiteti kushtetues i gjyqtarit.

Nëse del 30 për qind:

— Nuk është respektuar proporcionaliteti.

Nëse del 50 për qind:

— Tani po afrohemi te standardet europiane.

Dhe nëse qeveria ankohet se nuk ka para?

Atëherë le të paraqesë prova.

Derisa t’i gjejë, mund ta fusim në paraburgim.

Në emër të popullit

Vendimet gjyqësore fillojnë me një formulë madhështore:

“Në emër të Republikës…”

Dikur thuhej edhe “Në emër të popullit”.

Populli, ai që merr 400, 500 apo 600 euro në muaj, mund të pyesë me naivitet:

— Po mua kush më pyeti?

Askush.

Sepse populli nuk është jurist.

Ai vetëm paguan taksat.

Pret gjyqin.

Paguan avokatin.

Merr leje nga puna për seancën.

Shkon në gjykatë.

Mëson se seanca është shtyrë.

Kthehet muajin tjetër.

Dhe pas njëzet vjetësh merr vendimin.

Nëse është ende gjallë.

Ndërsa drejtësia vazhdon e pavarur, solemne dhe me kërkesën për pagë më të lartë në dorë.

Sepse një shtet pa drejtësi nuk mund të ekzistojë. Por, siç duket, as drejtësia nuk mund të ekzistojë pa indeksim page.

Dhe tani mbetet vetëm një pyetje: Kush do ta gjykojë kërkesën e gjyqtarëve?

Gjyqtarët.

Po kush do ta kontrollojë vendimin?

Gjyqtarë të tjerë.

Po nëse shteti nuk është dakord?

Të ankohet në gjykatë.

Dhe kështu rrethi mbyllet në mënyrë perfekte.

Në drejtësinë shqiptare mund të presësh njëzet vjet që të të kthejnë pronën.

Por kur drejtësia kërkon të rrisë rrogën e vet, çështja është krejt tjetër.

Sepse drejtësia mund të vonojë.

Rroga e saj, kurrë.

Dhe dua ta mbyll me një thënie të Shout, shkrimtar i njohur anglez: “Më pak dëm bëjnë 100 kriminelë të lirë, se një gjyqtar i keq…”

Top Channel

Published inLajme