Transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit ka ngritur pikëpyetje për procedurën që ka ndjekur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe arsyet e klasifikimit të urdhrit si sekret shtetëror.
Gazetarja Klodiana Lala, gjatë emisionit “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion+, shpjegoi se vendimi për ndryshimin e institucionit ku mbahet një i paraburgosur është kompetencë e Drejtorisë së Burgjeve. Megjithatë, ajo vuri në dyshim refuzimin për t’i dorëzuar Veliajt dokumentin përkatës.
Sipas Lalës, ish-kryebashkiaku i Tiranës dhe avokati i tij kanë kërkuar të njihen me aktin e transferimit, por nuk e kanë marrë atë. Gazetarja sqaroi se klasifikimi i një urdhri të tillë si sekret mund të lidhet me ekzistencën e një hetimi penal, veçanërisht kur organi i akuzës disponon të dhëna ose indicie për veprimtari të tjera kriminale.
Ajo theksoi se nuk ka informacion nëse ndaj Veliajt ekzistojnë rrethana të tilla hetimore që do të justifikonin mosdhënien e dokumentit. Për sa i përket vetë vendimit për transferimin, Lala vlerësoi se procedura, në pamje të parë, nuk paraqet shkelje ligjore. Dyshimet e saj lidhen kryesisht me mungesën e transparencës për urdhrin dhe me reagimin e Veliajt lidhur me protestën.
Një tjetër çështje që u diskutua ishte siguria e ish-kryebashkiakut në institucionin e Fierit, pas pretendimeve se ai është vendosur në një sektor ku qëndrojnë persona me rrezikshmëri të lartë.
Lala shpjegoi se çdo i paraburgosur që transferohet në një institucion tjetër duhet t’i nënshtrohet fillimisht një periudhe observimi. Sipas saj, pas 48 orësh, personeli përgjegjës harton një raport për gjendjen fizike, mendore dhe shëndetësore të personit, si edhe për rreziqet e mundshme që lidhen me vendosjen e tij në ambientet e burgut.
Në këtë proces, autoritetet duhet të verifikojnë edhe nëse i transferuari ka konflikte me persona të tjerë që ndodhen në të njëjtin institucion. Gazetarja theksoi se, për shkak të funksionit të mëparshëm shtetëror, Veliaj duhet të marrë trajtim të diferencuar në aspektin e sigurisë dhe të vendoset në një ambient ku nuk rrezikohet.
Çështja që mbetet pa sqarim është arsyeja pse autoritetet nuk i kanë vënë në dispozicion Veliajt urdhrin e transferimit, ndërkohë që gazetarja thotë se nuk ka të dhëna që të konfirmojnë ekzistencën e një hetimi tjetër penal që mund të justifikonte klasifikimin e dokumentit si sekret shtetëror.