Një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme astronomike të shekullit do të ndodhë më 2 gusht 2027, pikerisht nje date e muajit kur njerezit jane ne kulmin e pushimeve verore. Ne kete date mesohet se Hëna do të mbulojë plotësisht Diellin gjatë një eklipsi total diellor që do të zgjasë deri në 6 minuta e 23 sekonda.
I konsideruar si eklipsi total më i gjatë i shekullit XXI, fenomeni pritet të jetë i dukshëm në një brez të gjerë që shtrihet nga Oqeani Atlantik, në Europën Jugore, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.
Pamjet më të qarta të eklipsit do të mund të ndiqen në vende si Spanja, Gjibraltari, Maroku, Algjeria, Tunizia, Arabia Saudite dhe Jemeni.
Sipas astronomëve, kohëzgjatja maksimale e fenomenit do të regjistrohet në Egjipt, duke e kthyer vendin në një nga destinacionet kryesore për vëzhguesit dhe studiuesit e qiellit.
Shkencëtarët shpjegojnë se kjo kohëzgjatje e pazakontë lidhet me një pozicionim të veçantë të Tokës, Hënës dhe Diellit. Në momentin e eklipsit, Hëna do të jetë relativisht afër Tokës, duke u dukur më e madhe në qiell, ndërsa Toka do të ndodhet pranë pikës më të largët të orbitës së saj nga Dielli, duke bërë që disku diellor të duket pak më i vogël.
Gjatë fazës së eklipsit total, drita e ditës do të zbehet dhe qielli do të marrë pamjen e muzgut për disa minuta. Kjo është gjithashtu periudha e vetme kur korona diellore, atmosfera e jashtme e Diellit, mund të vëzhgohet me sy të lirë.
Astronomët e cilësojnë këtë fenomen si një nga spektaklet qiellore më të rralla dhe më mbresëlënëse të dekadave të fundit, një ngjarje që pritet të tërheqë miliona vizitorë, studiues dhe entuziastë të astronomisë nga e gjithë bota.
