Skip to content

Zbulohet pse u vra 58 vjecari i varfer ne Vlore! Shtepia e tij vlente miliona, dikush donte te…

Hetimet për vrasjen e bujshme të 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë po thellohen, teksa kanë dalë në dritë indicie të reja që po drejtojnë hetuesit drejt një piste konkrete: konflikti për truallin e tij të vendosur në një nga zonat më të lakmuara për ndërtime të reja në qytet.

Sipas burimeve pranë familjes së viktimës, Hoxhaj së fundmi kishte shfaqur shqetësime të dukshme dhe kishte pohuar se ishte nën presion e kërcënime të vazhdueshme nga individë të interesuar për të marrë në posedim truallin e tij, në këmbim të ndërtimit të një pallati të ri shumëkatesh. Pavarësisht këtyre presioneve, ai kishte refuzuar kategorikisht të shiste apo të jepte pronën e tij.

Ndërkohë, vetëm disa metra larg shtëpisë së tij tashmë ekziston një pallat modern me çmime të larta apartamentesh, që kapin shifrën e 1500 eurove për metër katror – një fakt që shton dyshimet se konflikti për pronën mund të ketë qenë motivi i vrasjes.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se disa persona janë marrë në pyetje, përfshirë edhe pronarin e këtij pallati, me qëllim që të verifikohet nëse ndaj Hoxhajt ishte ushtruar presion i drejtpërdrejtë për të lëshuar pronën. Policia po heton me intensitet këtë pistë, duke e konsideruar atë kryesore, pasi nga verifikimet paraprake rezulton se 58-vjeçari nuk kishte konflikte të tjera personale apo të natyrave të ndryshme.

Të afërmit e viktimës, në deklaratat e tyre për autoritetet, kanë konfirmuar se Renato Hoxhaj ishte një person i qetë, i njohur për korrektësinë dhe respektin ndaj të gjithëve në lagje. Ata kanë pohuar se ai kishte folur hapur për kërcënimet që po merrte kohët e fundit dhe se po rezistonte ndaj çdo forme presioni.

Gjithashtu, mësohet se dy fëmijët e tij të rritur jetojnë prej vitesh jashtë Shqipërisë dhe kanë pasur pak kontakte të drejtpërdrejta me të, për shkak të distancës, duke komunikuar kryesisht nëpërmjet telefonit.

Hetimet po vijojnë intensivisht për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin apo autorët e kësaj vrasjeje tronditëse, që ka alarmuar opinionin publik në Vlorë dhe më gjerë.

Published inLajme