Gazetarja Klodiana Lala hodhi dritë mbi vrasjen tronditëse të Gjovalin Prendit në Pllanë të Lezhës, një krim që, sipas saj, është vetëm kapitulli i radhës në një serial hakmarrjesh mafioze që ka rrënjë të thella dhe gjurmë gjaku në shumë qytete të Shqipërisë dhe përtej saj.
Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit – i ekzekutuar në Greqi një vit më parë – u qëllua për vdekje para biznesit të tij. “Nuk ishte një rastësi. Ishte një mesazh. Ishte një akt që vjen nga një zinxhir lufte mes klanesh rivale ku dora e hakmarrjes nuk njeh më as pleq e as gra,” u shpreh Lala në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Vrasje për vrasje: Një spiral që nuk ndalet
Roan Brahimi u bë emër i përfolur për herë të parë pas masakrës së Fushë-Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj – kushëri i Ervis Martinajt – dhe dy miqtë e tij. Roani u shpall në kërkim së bashku me Indrit Doklen dhe të tjerë. Prej asaj dite, një betim për gjak u ndez: grupi Martinaj, sipas të dhënave policore, ishte përbetuar se do zhdukte të gjithë familjen Brahimi.
Roan Brahimi u vra në Athinë në vitin 2024, në sy të njërës prej dy grave të tij. Ai dyshohej për disa atentate të tjera, përfshirë edhe vrasjen e Gentian Bejtjas dhe sulmin ndaj Ylli Brahimit – i afërm me bashkëshorten e tij të parë.
Por armiqtë e Roanit nuk mbaronin me kaq. Ai kishte përplasje edhe me grupin Reçi, me djemtë e kësaj familje të lidhur me djalin e Ardjan Gjeloshit, një tjetër figurë e errët e botës së nëndheshme. Ishte gjithashtu në konflikt me një grup nga Tepelena, të njohur si “djemtë e Renos së vogël”.
Krimi i fundit – një hakmarrje e paralajmëruar
Sipas dëshmive dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, dy persona me maska zbarkuan pranë lokalit të Gjovalin Prendit në një makinë të vjedhur nga Miloti. E qëlluan dhe u larguan me shpejtësi. Mjeti u gjet i djegur në Fushë Gjormë. Por asnjë emër, asnjë të ndaluar. Policia pret analizën e shasisë, por siç tha Lala, “pritja është shtyrë për shkak të Pashkëve”. Ndërkohë, familja Prendi kishte marrë mesazhe kërcënuese menjëherë pas masakrës së Fushë-Krujës.
Gjithçka nisi me bixhozin dhe dhunën e Martinaj
Ervis Martinaj dhe Brilanti, sipas Lalës, kishin dhunuar Roanin brutalisht për shkak të konflikteve për lojërat e fatit. Ajo që pasoi ishte një zinxhir atentatesh, hakmarrjesh dhe likuidimesh në mënyrën më mafioze të mundshme.
“Që atëherë, Roani ishte përbetuar për hakmarrje. Shkoi deri aty sa tentoi të vriste edhe Ylli Brahimin, pavarësisht lidhjes familjare. E konsideronte të tradhtuar nga brenda,” tha gazetarja.
Pistat janë të shumta, por një gjë është e qartë: gjaku që është derdhur nuk ka shuar etjen për hakmarrje. Përkundrazi, po ushqen një rreth vicioz që po merr përpara gjithkënd që ka lidhje me këto emra.
