Europa po përballet me një sërë fenomenesh natyrore të rënda që kanë goditur njëkohësisht disa vende të kontinentit, duke shkaktuar kaos, dëme të mëdha materiale dhe humbje jetësh. Situata më dramatike është regjistruar në Spanjë dhe Portugali, ku valët e të nxehtit, zjarret dhe stuhitë e papritura kanë krijuar një skenar apokaliptik.
Stuhia e “Satanit” shkakton panik në Spanjë
Në jug të Spanjës, një fenomen i rrallë meteorologjik i quajtur “Stuhia e Satanit” tronditi pushuesit në plazhet e Costa Granadina. Me një rritje të papritur të temperaturave në 40°C dhe erëra afër forcës së një uragani, deri në 85 km/h, stuhia bëri që rëra, shezlongët dhe çadrat të fluturonin në ajër, duke shkaktuar panik të madh. Turistët u panë duke vrapuar të tmerruar, ndërsa rojet bregdetare shpëtuan të paktën pesë persona të cilët ishin të bllokuar në det nga valët e fuqishme.
Spanja dhe Portugalia, betejë me zjarret historike
Ndërkohë, Spanja po përjeton zjarret më të mëdha në historinë e saj, me rreth 300,000 hektarë pyje të djegura deri më tani. Bilanci tragjik është katër viktima, mes të cilave një zjarrfikës. Në përballimin e situatës janë angazhuar mbi 20 vatra të mëdha, duke çuar në evakuimin e dhjetëra zonave. Kryeministri Pedro Sánchez e cilësoi këtë mobilizim ushtarak si “ndoshta më të madhin në historinë e mbrojtjes civile evropiane”.
Në Portugali, situata nuk është më pak e rëndë. Në Aguiar da Beira, një “tornado zjarri” spektakolare u formua, duke krijuar pamje apokaliptike me kolona zjarri dhe tymi që ngjiteshin drejt qiellit. Gjatë përpjekjeve për të vënë nën kontroll situatën, dy zjarrfikës humbën jetën dhe tre të tjerë ndodhen në gjendje kritike. Qeveria portugeze ka shpallur gjendje të lartë alarmi deri të dielën, ndërsa rreth 4,000 zjarrfikës janë mobilizuar për të luftuar me flakët.
Këto ngjarje tregojnë një rritje shqetësuese të fenomeneve ekstreme klimatike, duke nxjerrë në pah sfidat që po përballon Europa për të menaxhuar pasojat e ndryshimeve klimatike.