Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e fundit të drejtuar nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ka miratuar një vendim të rëndësishëm për transferimin e pronësisë së një pasurie shtetërore në Tiranë, me qëllim realizimin e projektit madhor të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.
Ky vendim vjen si një hap i rëndësishëm në mbështetje të kulturës dhe infrastrukturës publike në kryeqytet. Sipas njoftimit, prona me numër 7/74 në zonën kadastrale 8160 të Tiranës, i kalon nga administrimi i Bashkisë Tiranë në atë të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Pallati i Kongreseve, një nga godinat më ikonike dhe me histori të pasur për jetën kulturore e institucionale në vend, është planifikuar t’i nënshtrohet një procesi të thellë revitalizimi. Ky projekt synon jo vetëm restaurimin e godinës, por edhe modernizimin e saj, duke e kthyer në një qendër multifunksionale të standardeve bashkëkohore, e cila do të rrisë kapacitetet për të pritur ngjarje kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për të bërë të mundur këtë transferim dhe për të lehtësuar procesin e investimit, vendimi i qeverisë parashikon gjithashtu heqjen e pronës nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme publike të Bashkisë Tiranë, listë e cila ishte miratuar fillimisht në vitin 2006. Ky veprim procedural konsiderohet i domosdoshëm për të garantuar zbatimin e shpejtë dhe efikas të projektit.
