Qeveria ka hyrë zyrtarisht në periudhën e pushimeve verore, duke shënuar një moment reflektimi dhe përgatitjeje për sezonin e ri politik. Pritet që në fund të gushtit të bëhen publike ndryshimet në kabinetin qeveritar, duke përfshirë emra të rinj ministrash dhe konfirmime të atyre që do të marrin një mandat tjetër.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Kryeministri Edi Rama ka kërkuar vazhdimisht efikasitet dhe monitorim të vazhdueshëm në terren nga ana e ministrave. Vëmendje e veçantë i është kushtuar aksionit për lirimin e hapësirave publike dhe asaj që Kryeministri e ka quajtur “reforma për zhvillimin e territorit”. Këto deklarata, të shoqëruara edhe me kritika ndaj disa ministrave, sugjerojnë se ndryshimet e ardhshme do të bazohen pikërisht te performanca individuale dhe përmbushja e objektivave të vendosur nga Kryeministri.
Vjeshta pritet të jetë e ngarkuar dhe jo aspak e qetë për socialistët. Përveç ndryshimeve në kabinet, Kryeministri Rama ka paralajmëruar gjithashtu ndryshime brenda strukturave të Partisë Socialiste, duke lënë të kuptohet se po planifikohet një riorganizim më i gjerë si në qeveri, ashtu edhe në parti, për të forcuar pozitat dhe për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme politike.
