Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ushtruar të drejtën e votës në shkollën “Kosova” në Tiranë, i shoqëruar nga familja e tij. Berisha ka qenë i pranishëm së bashku me bashkëshorten Liri Berisha, djalin Shkëlzen Berisha, bashkëshorten e tij Armina Mevlani, si dhe dy nipërit, të cilët votuan për herë të parë në këto zgjedhje.
Pak më herët, Berisha ishte parë edhe në ambientet e Liceut Artistik, ku bëri një prononcim për mediat pas votimit, duke dhënë një mesazh të fortë drejtuar qytetarëve shqiptarë.
“Thirrje zemre për shqiptarët: votoni për fëmijët tuaj, për pensionet, për rrogat, për punësimin, për biznesin, për fermën e tyre,” – u shpreh Berisha me tone të vendosura.
Ai shtoi se gjatë takimeve me qytetarë kishte ndjerë gëzim dhe besim tek vota e tyre, duke u shprehur optimist për rezultatin dhe atmosferën e ditës.
“Çdo njeri që takova ishte i gëzuar, i sigurt në votën e tij. Do të kemi një ditë të dytë vere,” – tha ai me entuziazëm.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve:
“Votoni, votoni!”
Prania e tij në qendër votimi me të gjithë familjen ka marrë vëmendje të veçantë në media dhe rrjetet sociale, ku është komentuar si një mesazh simbolik i unitetit familjar dhe angazhimit politik ndër breza.
Zgjedhjet e 11 majit konsiderohen vendimtare për fatin e Partisë Demokratike dhe të vetë Berishës, i cili ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak për një çështje të hapur penale, por që vazhdon të drejtojë partinë dhe të ndikojë fuqishëm në skenën politike shqiptare.