Gazetarja Klodiana Lala ka ndarë për herë të parë një rrëfim prekës lidhur me takimet e saj me familjen e Jan Prengës, i cili u zhduk tragjikisht si pasojë e një ngjarjeje të lidhur me krimin e organizuar. E ftuar në një emision televiziv, Lala tregoi mes lotësh se ka vizituar shpesh banesën e familjes Prenga, ku ka takuar vajzën dhe djalin e tij, të cilët prisnin përballë derës me shpresën e kotë se babai i tyre do të kthehej një ditë.
Sipas Lalës, kushtet e jetesës së familjes ishin të vështira dhe tepër modeste, por ajo që e ka prekur më shumë ishte pikërisht shpresa e fëmijëve dhe dhimbja e thellë që nuk mund të shërohet pa kthimin e trupit të Jan Prengës.
“Kam shkuar shpesh në shtëpinë e Jan Prengës para se gruaja dhe fëmijët të largoheshin për të kërkuar azil politik në një vend të BE-së. Vajza më tha se donte të studionte kriminalistikë, por më shumë donte të kishte babain pranë.
Djali i mitur më përqafoi dhe më tha: ‘Dua babin’. S’më shikonte dot në sy. Ishin një familje e thjeshtë, por e shkatërruar nga dhimbja,” – tregoi ajo.
Lala shtoi se Jan Prenga ishte viktimë e veprimeve të vëllait të tij, i cili ishte përfshirë në një trafik kokaine në Britaninë e Madhe, por mënyra brutale me të cilën ai u rrëmbye dhe u vra, ishte çnjerëzore.
“Nëse vëllai i tij ka gabuar, ai të mbajë përgjegjësi. Por nuk mund të merret një jetë në këtë mënyrë kaq të egër dhe kriminale,” tha ajo.
Gazetarja përmendi dhe tensionet brenda drejtësisë në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se për herë të rrallë, dy prokurorë të posaçëm kanë dhënë pretenca të kundërta për të njëjtin të pandehur – Festim Bezhdilin.
“Njëri kërkon burgim të përjetshëm për përfshirje aktive në grup kriminal, tjetri kërkon rikualifikim të veprës dhe dënim me 20 vite,” – u shpreh Lala, duke i bërë thirrje drejtësisë që të vendosë më në fund qartësi dhe drejtësi.
Ndër emrat që përmendi si të përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës ishin Dritan Rexhepi, Gentjan Doçi dhe Altin Hajri. Ajo theksoi se ka publikuar pamjet e trupit të pajetë të Jan Prengës në kompleksin e Altin Hajrit, për të treguar se ai nuk ishte një person i zhdukur pa gjurmë, siç pretendonte grupi, por viktimë e vërtetë e një akti të tmerrshëm. “I kam kërkuar falje familjes për ato pamje, por ato ishin të nevojshme për të vërtetuar të vërtetën,” tha Lala.
Në fund, ajo tha se kthimi i trupit të Jan Prengës pranë familjes do të ishte një lehtësim i madh emocional, jo vetëm për të afërmit e tij, por edhe për të si gazetare që ka ndjekur nga afër këtë histori tragjike.