Një klip i transmetuar gjatë primen e kësaj të marte në Big Brother VIP Albania ndezi debate të forta brenda shtëpisë, pasi tregonte afrimitetin mes Selinë dhe Miri, duke lënë të nënkuptohej mundësia e nisjes së një romance mes tyre.
Pamjet e shfaqura krijuan menjëherë reagime mes banorëve, ndërsa situata u tensionua veçanërisht nga vetë Selina, e cila shpërtheu me tone të ashpra, duke mohuar çdo interpretim romantik dhe duke e cilësuar klipin si montazh.
Debati nisi me Kristi, i cili u përpoq ta relativizonte situatën, por u ndërpre menjëherë nga Selina.
“Këto komente i ke stop. Mos i bëj. Ajo është një montazh,” iu drejtua ajo Kristit, duke kërkuar që të mos bëheshin më aludime të tilla.
Kristi reagoi duke thënë se diskutimi kishte nisur nga Iliri, ndërsa ai vetëm po vazhdonte bisedën, por Selina e ashpërsoi më tej qëndrimin e saj, duke vendosur kufij të qartë.
“Nuk mund të guxojë askush të bëjë komente. Miri është mosha e babit tim dhe është burrë i martuar,” deklaroi ajo, duke e konsideruar të papranueshme çdo insinuatë për një lidhje mes tyre.
Në debat ndërhyri edhe Stine, gjë që solli një tjetër reagim të fortë nga Selina, e cila e akuzoi për ndërhyrje të panevojshme në çdo situatë.
Nga ana e tij, Miri reagoi qetësisht, duke tentuar të ulë tensionet dhe sqaruar natyrën e marrëdhënies mes tyre:
“Unë e përkëdhel Selinën si vajzën time,” u shpreh ai.
Debati mbylli një nga momentet më të tensionuara të mbrëmjes, ndërsa klipi dhe reagimet e banorëve pritet të vazhdojnë të jenë temë diskutimi edhe në ditët në vijim brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania.
